Si tiranët e përdorin teknologjinë për të na spiunuar të gjithëve

Nga Parmy Olson “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Përmes librit të tyre “Pegasus:Si spiuni që mbani në xhepin tuaj kërcënon fundin e privatësisë, dinjitetit dhe demokracisë”, gazetarët investigativë Laurent Richard dhe Sandrine Rigaud, shpjegojnë në detaje se si një kompani izraelite u dha qeverive në mbarë botën të përgjojnë fshehurazi telefonat celularë të qytetarëve. Në intervistën e dhënë për Blomberg, ata thonë se privatësia e të gjithëve është ende në rrezik, dhe se nga kjo po përfitojnë të gjithë pushtetarët sidomos udhëheqësit autokratë dhe diktatorët.

Ju jeni bashkautorët e një libri të ri që rrëfen historinë e “Pegasus”, një program përgjimi shumë i fuqishëm, i zhvilluar nga kompania izraelite e sigurisë kibernetike “NSO Group”. Vitet e fundit, kjo teknologji u ble nga një sërë qeverish në mbarë botën, gjë që i dha atyre qasje shumë të lehtë në telefonat celularë të çdo qytetari pa dijeninë e tyre. Në vitin 2020, një burim sekret i zbuloi ekipit tuaj të gazetarëve investigativë në Paris një liste më 50.000 numra telefoni që donin të përgjonin klientët e NSO Group.
Midis emrave në listë ishin presidenti francez Emmanuel Macron, disidenti saudit Jamal Khashoggi dhe një grup gazetarësh, përfshirë kolegët tuaj. Cila është ideja qendrore e këtij libri?

Laurent Richard:Kur patëm qasje në këtë listë, ne zbuluam për herë të parë fytyrat e vërteta të viktimave të mbikëqyrjes kibernetike. Ne treguam se si këto teknologji janë keqpërdorur masivisht nga aktorët shtetërorë kundër gazetarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut, avokatëve, kundërshtarëve politikë. Po ashtu treguam sesi Pegasus u bë një lloj mjeti magjik për tiranët dhe diktatorët që të mbanin nën mbikëqyrje disidentët dhe çdo lloj njeriu që mund të sfidonte pushtetin e tyre.

Sandrine Rigaud:Është thelbësore që lexuesit ta kuptojnë fuqinë e këtij programi. Ai mund të depërtojë tek gjithçka që keni në telefonin tuaj, dhe e bën këtë në një mënyrë krejtësisht të padukshme. Dhe nuk ka nevojë që ju të bëni ndonjë veprim të gabuar apo të klikoni mbi ndonjë link që përmban viruse.

Mendoni se çfarë gjendet në telefonin tuaj – rezultatet e kërkimeve tuaja në Google, fotot personale, listën tuaj të kontakteve, vendndodhjen tuaj, fjalëkalimet tuaja. Të gjithë mund ta kuptojnë se sa i rrezikshëm mund të jetë ky lloj spyware në duart e diktatorëve dhe regjimeve autoritare. Imagjinoni se si mund të përdoret ai për t’u mbyllur gojën e gazetarëve dhe kundërshtarët politikë. Kjo është arsyeja pse ne e konsiderojmë atë një kërcënim të madh kundër demokracisë.

Si ishin ditët e para kur ju ra në duar lista me 50.000 emra, dhe më pas e kuptuat se sa e rëndësishme ishte kjo?

Laurent Richard:Si gazetar, ky është një rast që ju vjen vetëm një herë në jetë. Një sasi e madhe numrash telefoni të personave, që ishin potencialisht në shënjestër, kishte rënë në duart tona dhe asnjë nga viktimat nuk ishte në dijeni të kësaj. Por ai moment ishte vetëm fillimi, sepse nuk mjaftonte vetëm rrjedhja e informacioni dhe lista.

Na duheshin prova. Gjatë investigimit tonë, ne ishim në gjendje të vërtetonim se mijëra njerëz ishin vërtet të prekur, dhe se ky program përgjimi po merrte nën kontroll komunikimet e shumë disidentëve politikë dhe gazetarëve në mbarë botën. Dhe ne ishim në gjendje të vërtetonim se ky keqpërdorim ishte një problem global, sepse kjo industri nuk është fare e rregulluar nga ndonjë ligj.

Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përball secili prej jush gjatë kërkimit dhe shkrimit të këtij libri?

Sandrine Rigaud:Kur je duke hetuar keqpërdorimin e softueri më të rrezikshëm që ekziston aktualisht në botë, në një moment duhet të supozosh se do të jesh edhe vetë në shënjestër. Po ashtu ne i kontaktonim dhe paralajmëruam njerëzit që jetonin nën regjime autoritare dhe që ndoshta po spiunoheshin. Por si mund të kontaktonim ata njerëz nëse nuk mund të përdornim telefonin dhe nuk mund të udhëtonim për t’i takuar personalisht për shkak të Covid? Këto ishin disa nga sfidat me të cilat u përballëm.

Laurent Richard:Kur filluam nga puna, bëmë kërkime në mbi më shumë se 10 vende që  kishin blerë softuerin Pegasus. Disa prej tyre ishin shumë të rrezikshme. Nuk donim që të ishim të radhës në listë. Nëse një person në grupin tonë do të ishte duke u përgjuar nga Pegasus, atëherë projekti do të ekspozohej. Do të kishte përfunduar menjëherë.

Pse keni përdorur mekanizma mbrojtës kundër tij?

Sandrine Rigaud:Për arsye sigurie nuk mund të shpjegojmë në mënyrë specifike mjetet që u detyruam të përdornim. Por ishte e qartë se nuk mund të përdornim më telefonat tanë dhe as kompjuterat tanë. Sa herë që diskutonim ndonjë gjë me një nga burimet tona, duhej të siguroheshim që në dhomë apo kudo rreth nesh nuk kishte pajisje përgjimi.

Është pak e çuditshme kur kontakton dikë dhe i kërkon që të lërë celularin e tij në dhomën tjetër. Ata mund të mendojnë se jeni paksa paranojak, por më pas e kuptojnë shumë shpejt se sa serioze është kjo çështje dhe pse është kaq e rëndësishme.

Teksa po lexoja këtë libër, vazhdova të pyesja veten pse “NSO Group” nuk vinte kushte më të forta për klientelën e saj. Cilët ishin faktorët kryesorë që në fund çuan në keqpërdorimin dhe abuzimin e Pegasus?

Laurent Richard:Kur i shet softuerin një vendi si Azerbajxhani apo Arabia Saudite, e di që klienti ka një histori shumë të errët sa i përket shkeljeve të të drejtave të njeriut. Narrativa zyrtare e NSO është se ajo ka një bord të etikës, disa këshilltarë dhe një politikë të të drejtave të njeriut.

Fakti që ka diçka të tillë duket shumë ironike…

Laurent Richard:Ashtu është. Dhe kur NSO shet Pegasus, i thotë klientit “Ne nuk do t’i dimë asnjëherë objektivat tuaja. As që duam ta dimë por as nuk ka një mënyrë teknike për ta mësuar këtë”. Në të njëjtën kohë, ata shtonin: “Por nëse ka ndonjë lloj keqpërdorimi dhe njerëzit shënjestrohen në mënyrë të pahijshme, nëse programi përdoret kundër njerëzve që nuk janë terroristë apo kriminelë, ne do të hetojmë”. Por si mund të hetoni nëse nuk e dini se cilët janë objektivat? Po ashtu nuk ka fare transparencë mbi mënyrën sesi qeveritë mund ta përdorin këtë mjet, sepse e gjitha klasifikohet si çështje e sigurisë kombëtare.

Kur njerëzit mendojnë për spiunët, mendja u shkon tek agjencitë qeveritare. Por qeveritë ua kanë dhënë gjithnjë e më shumë mbikëqyrjen kontraktorëve privatë. Pse është rritur kaq shumë ky treg për kontraktorët si NSO?

Sandrine Rigaud:Që nga viti 2015, përgjimi i smartfonëve është shndërruar në një mjet shumë efikas mbikëqyrje për disa regjime. Kjo po krijon goxha kërkesë në treg. Për momentin, NSO ofron ndoshta mjetin më të sofistikuar, Pegasus. Por ekzistojnë edhe softuerë të tjerë të këtij lloji. /albeu.com


Shtuar 9.02.2023 11:32