Si “përbindëshi” i ri i zuri vendin Ervis Martinajt, gazetari “zbërthen” skemën e nxjerrjes nga “loja” të “mbretit” të basteve: Para “pa fund”

Zhdukja e Ervis Martinajt vijon të jetë e mbuluar me mister dhe të panjohura.

Gazetari Artan Hoxha, disa ditë më parë, dha detaje të shumta mbi zhdukjen e këtij personazhi kaq të shumëpërfolur për drejtësinë shqiptare.

Vrasjet e bujshme gjatë viteve të fundit kundër grupit të Ervis Martinajt janë bërë nga një skuadër profesionistësh të mirëfilltë, e përbërë nga ish-policë dhe ish-ushtarakë, që shërbejnë si krahu i armatosur i një grupi super të fuqishëm kriminal të bërë bashkë për të nxjerrë nga loja “Mbretin e basteve”.

Artan Hoxha e krahasoi këtë skuadër vrasësish me “Los Pepes”, grupin që tre dekada më parë ekzekutonte njerëzit e Escobarit të Kolumbi. Kjo skuadër sipas Hoxhës shërben si krahu i armatosur i një grupi të fuqishëm kriminal në Shqipëri, të përbërë nga njerëz të krimit, biznesit si edhe me mbështetje të fortë politike.

Para se të shkonin te Martinaj, grupi në fjalë dyshohet se ka ekzekutuar edhe njerëzit e këtij të fundit siç janë Erigers Mihasi; Santiago Malko; Bujar Lika dhe sëfundmi Brilant Martinajt, djalit të xhaxhait të tij.

Hoxha tha në ABC se skuadra në fjalë mbështetet nga një sasi e madhe parash dhe kur del në “terren” mbjell vetëm terror pasi nuk ka ndodhur asnjëherë që të kenë dështuar në “misionin” e tyre.

Është pikërisht kjo skuadër që sipas Artan Hoxhës “mori në dorëzim” Ervis Martinajn në një shtëpi në zonën e Fushë Krujës, ku ai kishte shkuar për të kryer një takim me qëllim lidhjen e aleancave të reja me grupet kriminal për t’i bërë ballë atyre që po e luftonin.

Hoxha shprehet se skuadra në fjalë ishte e veshur me uniforma të Forcave Speciale dhe fillimisht njerëzit që shoqëronin Martinajn menduan se ishte policia që e arrestoi pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK. Në fakt, sipas Hoxhës nuk ishte kështu. Ervis Martinaj u mor në atë shtëpi, pasi ishte “shitur” prej tyre nga skuadra e vrasësve që po e kërkonin prej vitesh.

Hoxha foli edhe për një video të Martinajt, ku ai ofron 50 milion euro për ta liruar, megjithatë duke qenë se pamjet janë të turbullta nuk mund të konfirmohet nëse është 100% ai apo jo.

Një “përbindësh” në terren

Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.

Siç tha gazetari Artan Hoxha në ABC, ridimensionimi i krimit të organizuar nisi në vitin 2018, fill pas masakrës së ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë njëri prej njerëzve të Martinajt, ndërsa ky i fundit u plagos në qafë.

Grupi i madh kriminal i krijuar fillimisht me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt, tashmë duket se do të jetë një problem edhe për policinë dhe vetë shtetin pasi rezulton të ketë burime financiare tepër të mëdha nga njëra anë dhe një skudër vrasësish profesionistë nga ana tjetër.

“6-7 grupe të mëdha u bashkuan, pranuan edhe konflikt vetëm për të nxjerrë jashtë loje Ervis Martinajn. Ata përdorën të gjitha lidhjet. Pjesë e kësaj strukture u bënë ish pjesëtarë edhe të forcave të zbatimit të ligjit”, tha Hoxha.

Ndërkohë që prej javësh mbetet mister fati i Ervis Martinajt, deri më tani nuk ka patur një reagim nga policia për ngjarjen e bujshme./albeu.com/