4 grupe kundërshtare, a ka një “përbindësh” që i ka zënë vendin Martinajt apo tani nis lufta për “fronin”? Çfarë pritet të ndodhë

Teksa jemi gati një muaj nga zhdukja e Ervis Martinajt ende nuk kemi asnjë reagim nga Policia e Shtetit, ndërsa pistat më të komentuara janë tre, rrëmbim, vrasje ose inskenim.

Vrasjet e bujshme gjatë viteve të fundit kundër grupit të Ervis Martinajt janë bërë nga një skuadër profesionistësh të mirëfilltë, e përbërë nga ish-policë dhe ish-ushtarakë, që shërbejnë si krahu i armatosur i një grupi super të fuqishëm kriminal të bërë bashkë për të nxjerrë nga loja “Mbretin e basteve”.

Artan Hoxha e krahasoi këtë skuadër vrasësish me “Los Pepes”, grupin që tre dekada më parë ekzekutonte njerëzit e Escobarit të Kolumbi. Kjo skuadër sipas Hoxhës shërben si krahu i armatosur i një grupi të fuqishëm kriminal në Shqipëri, të përbërë nga njerëz të krimit, biznesit si edhe me mbështetje të fortë politike.

“Përbindëshi” që i ka zënë vendin Ervis Martinajt

Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.

Siç tha gazetari Artan Hoxha në ABC, ridimensionimi i krimit të organizuar nisi në vitin 2018, fill pas masakrës së ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë njëri prej njerëzve të Martinajt, ndërsa ky i fundit u plagos në qafë.

Grupi i madh kriminal i krijuar fillimisht me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt, tashmë duket se do të jetë një problem edhe për policinë dhe vetë shtetin pasi rezulton të ketë burime financiare tepër të mëdha nga njëra anë dhe një skudër vrasësish profesionistë nga ana tjetër, shkruan Albeu.com

“6-7 grupe të mëdha u bashkuan, pranuan edhe konflikt vetëm për të nxjerrë jashtë loje Ervis Martinajn. Ata përdorën të gjitha lidhjet. Pjesë e kësaj strukture u bënë ish pjesëtarë edhe të forcave të zbatimit të ligjit”, tha Hoxha.

Ndërkohë që prej javësh mbetet mister fati i Ervis Martinajt, deri më tani nuk ka patur një reagim nga policia për ngjarjen e bujshme.

4 grupet kundërshtare të Martinajt

Ervis Martinajt edhe sipas gazetares Klodiana Lala kishte shumë armiq dhe disa prej tyre janë: Grupi i Ervis Matës, grupi Elvis Doçit të vrarë, Klani DUKA dhe grupi Indrit Dokles.

Gjithashtu sipas gazetares, Martinaj ka pasur një konflikt të ashpër edhe me në biznesmen shumë të fuqishëm, i cili po ndërton vila në Gjirin e Lalzit.

“Ka patur konflikte të forta edhe me një biznesmen të fuqishëm që po ndërton vila në Gjirin e Lalzit. Kanë patur probleme parash që Martinaj ia ka dhënë atij dhe më pas nuk janë marrë vesh. Pastaj u tha se do t’i jepnin vila”, tha Lala.

Nuk dihet nëse momentalisht bota e krimit ka një “përbindësh” të ri në treg, ndërsa Lala dyshon se mes këtyre grupeve të mbetura do të ketë një luftë ku më i fortë do të mbesë dhe do të sundojë i vetëm./albeu.com