“Si më vdiq djali 18-vjeçar në Greqi”, historia e dhimbshme e kovaçit të moshuar: Lashë gërnetën, nuk e kapa me dorë më

Kovaçi Kostandin Qosja ka rrëfyer në emisionin ‘Real People’ në Euronews Albania detaje nga jeta e tij dhe një moment të vështirë që ka kaluar në vitin 1996.

Qosja tha se në vitin 1996 ka humbur djalin e tij në Greqi, i cili ishte 18-vjeç dhe ndërroi jetë pasi u përplas nga treni, pasi së bashku me një shok tjetër, i kishte zënë gjumi në shina.

Qosja tha se lajmin e përjetoi shumë keq, duke shtuar se i biri që kishte ndërruar jetë ishte një djal shumë punëtor.

“Jo e sheh këtë këtu ti, m’u vra një djalë mua. M’u vra në vitin 1996. Që në dhjetor të 96-ës e lashë gërnetën, nuk e kapa me dorë më. Në Patra, Greqi. I zuri gjumi te shinat e trenit, erdhi treni e i përplasi.

Këtë e kapi në një cep në kokë, atë tjetrin e kapi në pjesën e barkut, vdiqën të dy. Iknin në këmbë atëherë, shkonin në Greqi, në fshatrat e Greqisë. Arben Qosja e kishte emrin. 18-vjeç ishte. Ishte shumë punëtor.

Punonte, më ndihmonte mua. I ngjante gruas më shumë, po ishte shumë punëtor, i shkathët. Ishte edhe djali tjetër atje kur ndodhi ngjarja. U këputa fare kur e mora vesh lajmin”, tha Qosja.


Shtuar 14.09.2024 21:37