Si duhet luftuar kundër aksit në forcim Iran-Rusi

Nga James Phillips & Peter Brookes “19 Forty Five

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Irani dhe Rusia, po e kompensojnë izolimin e tyre të thelluar në skenën ndërkombëtare, duke rritur bashkëpunimin dypalësh në fushën ushtarake, politikën e jashtme dhe atë ekonomike.  Që nga pushtimi i padrejtë dhe i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia në shkurtin e vitit të kaluar, marrëdhëniet e tyre dypalëshe kanë lulëzuar në një partneritet strategjik, i cili po minon thellësisht interesat amerikane në Evropë, Euroazi dhe Lindjen e Mesme.

Ndaj Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë, dhe duhet ta bëjë këtë tani. Pasi u dobësua ofensiva fillestare e Moskës kundër Kievit, Rusia iu drejtua Iranit për të siguruar fuqi zjarri shtesë, duke përfshirë dronët luftarakë, raketa dhe municione për armë të vogla, artileri dhe tanke.

Një aspekt ndoshta edhe më shqetësues, është fakti që Irani, një vend që mburret me forcën më të madhe raketore në Lindjen e Mesme, mund t’i ofrojë Rusisë raketa balistike me rreze të shkurtër, që kjo e fundit t’i përdorë në fushatën e saj ushtarake në Ukrainë.

Në këmbim, Irani njoftoi se do të marrë nga Moska brenda këtij viti avionët luftarakë të gjeneratës së katërt Su-35. Po ashtu, thuhet se Teherani mbetet i interesuar të blejë edhe pajisje të tjera ushtarake ruse. Por mbi të gjitha, ekziston shqetësimi se Moska mund të ndihmojë programet e shfrenuara bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë të Teheranit, të cilat do të kishin efekte shkatërruese mbi stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare, përfshirë kërcënimin e territorit të SHBA-së.

Ekonomitë e Rusisë dhe Iranit, varen shumë nga eksportet e energjisë. Nuk është për t’u habitur që Moska dhe Teherani, po bashkëpunojnë ngushtë midis tyre për të manipuluar çmimet e naftës dhe për ta zhvendosur naftën nëpërmjet cisternave të “flotës fantazmë” të Iranit për t’iu shmangur sanksioneve të SHBA-së.

Administrata e Joe Biden, nuk e ka trajtuar si duhet sfidën që vjen nga aleanca midis Iranit dhe Rusisë, dhe as nuk ka  arritur të pengojë apo të mbajë nën kontroll politikën e jashtme agresive të asnjërës. Për këtë arsye, Uashingtoni duhet të zhvillojë tani me urgjencë një kornizë gjithëpërfshirëse për të minuar fuqinë e të dyjave, duke penalizuar bashkëpunimin e rrezikshëm midis të dyjave dhe rritur koston e lidhjeve të tyre dypalëshe.

Për të mbrojtur dhe avancuar interesat e SHBA-së, Uashingtoni duhet të marrë këto hapa.

Së pari të shpallë të vdekur marrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit të vitit 2015, dhe të ushtrojë një presion maksimal kundër Iranit.

Së dyti duhet të përshkallëzojë sanksionet kundër Teheranit, dhe duke i dhënë fund favorizimeve në lidhje me programin bërthamor civil, nga të cilat përfiton ndjeshëm Moska, Uashingtoni mund të kufizojë bashkëpunimin e tyre dypalësh bërthamor dhe të zvogëlojë burimet financiare të disponueshme për të dyja palët për zhvillimin e aleancës të tyre strategjike.

Së në kundërvënien ndaj bashkëpunimit ruso-iranian kundër sanksioneve ndëshkuese, Uashingtoni duhet të godasë jo vetëm subjektet ruse dhe iraniane që u shmangen sanksioneve, por edhe subjektet e palëve të treta që lehtësojnë evazionin e sanksioneve, duke përfshirë vendet që ofrojnë flamujt e tyre për “anijet fantazmë”.

Së katërti duhet të minimizohet prodhimi dhe transferimi i dronëve në Iran. Uashingtoni, aleatët dhe partnerët e tij duhet të zbatojnë sanksione ekonomike, kontrolle të zgjeruara të eksportit dhe përpjekje kundër përhapjes së komponentëve të prodhimit perëndimor të përdorur në dronët iranianë, veçanërisht mikroçipet.

Po ashtu, SHBA-ja duhet të marrë në konsideratë mbështetjen e operacioneve kibernetike por edhe përpjekjet izraelite për të ndërprerë operacionet tek fabrikat e dronëve në Iran përmes sabotazhit dhe sulmeve të fshehta, siç ishte sulmi me dron që dëmtoi një fabrikë iraniane në janar të këtij vitit.

Së pesti, forcimi i mbrojtjes raketore kundër kërcënimeve nga dronët dhe raketat iraniane. Pentagoni duhet të sigurojë që aftësitë e mbrojtjes ajrore të SHBA-së të vendosen bazuar në vlerësimet e rrezikut, të cilat përditësohen vazhdimisht. Po ashtu, Uashingtoni gjithashtu duhet të ndihmojë në përmirësimin e mbrojtjes ajrore të aleatëve dhe partnerëve rajonalë përmes bashkëpunimit të duhur dhe shitjes së armëve, me qëllim ndërtimin e një sistemi të integruar rajonal të mbrojtjes ajrore.

Së gjashti, duhet të sigurohet rritje e eksporteve të naftës dhe gazit të SHBA-së për të ulur kërkesën për eksportet e energjisë iraniane dhe ruse. Administrata Biden duhet të ndryshojë kurs dhe të inkurajojë – dhe jo të bëjë të kundërtën – rritjen e prodhimit të energjisë në SHBA për të ushtruar presion në rënie mbi çmimet vendase dhe globale të naftës, si dhe për të ulur kërkesën për eksportet e energjisë nga Irani dhe Rusia, burimi i tyre më i madh i të ardhurave nga eksporti.

Duke marrë parasysh ambiciet e tyre gjeopolitike rajonale dhe globale, thellimi i partneritetit strategjik midis Iranit dhe Rusisë, përbën një kërcënim në rritje për SHBA-në, aleatët e saj dhe partnerët në Evropë, Euroazi dhe Lindjen e Mesme.

Në fakt, forcimi i aleancës midis Iranit dhe Rusisë, ka qenë tashmë një faktor kontribues pas  tensionit të ndërmjetësuar nga Kina  midis Iranit dhe Arabisë Saudite, si dhe fundit të përpjekjeve arabe për ta izoluar regjimin e Asadit të Sirisë, që mbështetet nga Irani dhe Rusia.

Ndaj, dështimi për t’i adresuar shpejt këto lidhje shqetësuese – dhe kërcënimet e shumta që lindin prej tyre – do të çojë vetëm në më shumë paqëndrueshmëri ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë. Uashingtoni dhe vendet me të njëjtin mendësi, duhet të ndërmarrin urgjentisht hapa që tani për të minuar dhe kundërshtuar boshtin anti-amerikan ruso-iranian, përpara se t’u shkaktohet dëme shtesë interesave kombëtare amerikane.

Shënim:James Phillips, studiues  për çështjet e Lindjes së Mesme në “The Heritage Foundation”. Peter Brookes, hulumtues në këtë fondacion për Armët e Shkatërrimi në Masë dhe Kundër Përhapjes.


Shtuar 16.05.2023 09:42