Shtyhet seanca për Laert Haxhiun, debate në gjyq mes avokatit dhe gjyqtarit

Seanca për Laert Haxhiun është shtyrë për në datën 1 dhjetor, në orën 14:30.

Prokuroria do të relatojë provat shkresore dhe më pas do të lexohet pretenca.

Sakaq, gjatë seancës së sotme ka pasur debate mes avokatit Detar Hysi dhe relatorit të çështjes  Erjon Çela.

Hysi kërkon që gjykata të pranojë kërkesën e tij për heqjen dorë nga përfaqësimi i Haxhiut, duke argumentuar se ky i fundit nuk dëshiron që të mbrohet nga avokati Detar Hysi.

Po ashtu, sipas avokatit, edhe familjarët e 32-vjeçarit nuk janë dakord që ai të përfaqësojë Laert Haxhiun. Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Çela relatoi se Hysi do të qëndrojë në gjykatë deri sa avokati kryesisht Elvis Gorishti të jetë njohur me aktet e çëshjtes objekt gjykimi sipas Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata po ashtu ka marrë vendim që procesi gjyqësor të vijojë në mungesë të Laert Haxhiut pasi ky i fundit ka refuzuar marrjen dijeni në burgun grek ku ndodhet i ndaluar në pritje të ekstradimit të tij drejt vendit tonë.

Gjyqtari Erjon Çela në fund relatoi që avokati Hysi në seancën e radhës duhet të sjellë një prokurë të firmosur nga familjarët e Laert Haxhiut që i heqin avokatit tagrin e përfaqësimit.

Gjithashtu duhet që prokurorja e çështjes Doloreza Musabelliu të paraqesë me shkrim përmbledhjen e provave shkresore për t’ia vënë në dispozicion avokatëve.

Laert Haxhiu është duke u gjykuar në mungesë për atë që njihet si masakra e Lushnjes e ndodhur në Shtator të 2017. Në atë ngjarje humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet të ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.

Gjykata e Apelit në Janinë do të thotë edhe fjalën e fundit për fatin e Laert Haxhiut. Po ashtu ai ka kërkuar edhe azil në shtetin grek.


Shtuar 17.11.2023 12:05