LIVE| Klan Kosova nuk mbyllet, Gjykata Komerciale vendos në favor të televizionit – kundër MINT

Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit qeveritar për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit privat, Klan Kosova.

Në vendimin e marrë më 2 gusht, është thënë se ekzekutimi i vendimit shtyhet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata për këtë rast.

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.

Ajo e ka rikonfirmuar një vendim të 14 qershorit që ia pezullon licencën këtij biznesi me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia” dhe diçka e tillë shkel Kushtetutën e Kosovës.