Shtetit gangster të Putinit po i shterojnë burimet, kjo do të çojë në mënyrë të pashmangshme në rrëzimin e regjimit

Nga Hamish De Bretton-Gordon “Daily Telegraph”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Nuk është befasi që Vladimir Putin e sundon ende Rusinë të zhytur në një korrupsion të shfrenuar. Ne të gjithë e dimë se si paratë nxirren nga arkat e shtetit dhe shkojnë në xhepat e aleatëve dhe oligarkëve të tij, dhe sigurisht edhe në xhepin e tij.

Për vite me radhë, ky korrupsion sistematik e forcoi pozitën e tij në pushtet, por për forcat e tij të armatosura që luftojnë në Ukrainë – pavarësisht ngërçit në vijën e parë dhe pesimizmit të panevojshëm nga disa qarqe – ky kriminalitet vazhdon të bëjë të kundërtën, duke dobësuar ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme aftësinë u ushtrisë ruse për të luftuar, si dhe po e gërryen aftësinë e Putinit për të kontrolluar ngjarjet.

Pavarësisht paraqitjes, pushtimi rus është ende në rënie, si rezultat i drejtpërdrejtë i degradimit të sistemit në zemër të Kremlinit. Lajmi se një komandant rus i një batalioni tankesh u arrestua javën e kaluar dhe u akuzua për vjedhjen e motorëve nga tanket e betejës nuk është një befasi.

Të tilla nuk janë as zbulimet e fundit mbi gjendjen e rrënuar të pjesës më të madhe të marinës ruse. Këto lajme janë ilustrimi i përsosur i kalbjes së pakapërcyeshme morale që po e rrënon shtetin gangster të Vladimir Putinit.

Humbjet spektakolare të mjeteve të blinduara që pësuan forcat e Moskës që në fillim të luftës ishin një surprizë e madhe për analistët perëndimorë. Por sot unë jam i prirur të mendoj se ato u sabotuan sepse komponentë më kritikë ishin shitur për skrap ose ishin blerë më herët me çmime të lira.

Në retrospektivë them se duhet ta kishim parashikuar një gjë të tillë. Mua më kujtohen shumë histori nga koha kur shërbeja si komandant tankesh në Luftën e Ftohtë kur përballë kishim rusët e vendosur në Gjermaninë Lindore. Asokohe ishte e zakonshme të dëgjoje mbi ushtarët rusë të tankeve që vidhnin ftohësin e motorit për ta pirë në vend të alkoolit

apo për të vjedhur rezervat e naftës për të blerë ushqime.

Sa i përket gjendjes së marinës, aeroplanmbajtësja e vetme ruse, Admiral Kuznetsov, ka qenë jashtë veprimit që nga viti 2018 falë një kombinimi toksik të riparimeve të dështuara dhe paligjshmërisë flagrante. Në marsin e vitit 2021, drejtori i përgjithshëm i kantierit detar u arrestua me akuzën e përvetësimin e fondeve.

Aeroplanmbajtësja nuk parashikohet të kthehet në shërbim aktiv deri në vitin 2024. Ndërkohë, simboli i flotës veriore, luftanija e vjetër që operon me energji bërthamore, Pjetri i Madh, ndoshta do të duhet të dalë jashtë qarkullimit, sepse është shumë e shtrenjtë për t’u modernizuar.

Këto janë turpërime të mëdha për një vend që vjen nga poshtërimet e mëparshme në Ukrainë, siç ishte fundosja e paharrueshme e luftanijes “Moska”. Po ashtu, vlen të kujtohet se shumë ekspertë në komunitetin e inteligjencës besojnë se “Asi nën mëngë” i Putinit  – armët e tij taktike bërthamore aq shumë të lavdëruara – nuk do të funksiononin siç duhet për shkak të moshës së madhe dhe keq-menaxhimit, edhe nëse ushtarët që i drejtojnë ato mund të binden që t’i vënë në punë. Kjo gjë që nuk është aspak e sigurtë.

Si një ish-ushtarak, unë jam i sigurt se ky degradim do t’i privojë në mënyrë të pashmangshme rusët nga vullneti për të luftuar. Ushtarët më efektivë që i kanë mbetur Kremlinit në fushën e betejës janë kriminelët që kanë dalë nga burgjet në të gjithë Rusinë për të luftuar në radhët e grupit mercenar Wagner.

Por morali i shpirtit luftarak të një ushtari është zakonisht i ngulitur në besimin tek kauza e  drejtë e luftës, dhe paratë do të shërbejnë vetëm për një kohë të kufizuar. Tani ‘ariu rus” është njollosur keq dhe shfrytëzimi i njerëzve nga një elitë e vogël është tashmë një fakt shumë i qartë.

Paaftësia e Kremlinit do t’i zhgënjejë ata që e mbështetin dhe do të çojë në kapitullimin e Rusisë. Koha e këtij kapitullimi do të varet tërësisht nga qëndrueshmëria perëndimore për të vazhduar ta furnizojë Ukrainën me armët që i nevojiten për t’ia shterur rusëve moralinë dhe aftësinë e tyre për të luftuar.

Raportet se njësitë ukrainase detyrohet të racionojnë predhat, kur kanë nga pas fuqinë e kaq shumë vendeve të zhvilluara të industrializuara, na turpërojnë që të gjithëve. Sot jemi në vitin 2023, dhe jo në 1915-ën. Ata që mendojnë se Rusia mund të rekrutojë ende një valë të pandalshme njerëzish dhe materialesh si në Luftën e Dytë Botërore, duhet ta mendojnë sërish. Gangsterët e Putinit e kanë plaçkitur vendin e tyre, kanë normalizuar korrupsionin në radhët e ushtrisë dhe në këtë mënyrë e kanë dënuar veten me humbje.

Korrupsioni moral endemik në Rusi do ta rrëzojë Putinin nga pushtetit, pasi ka tiranë të panumërt para tij. Kjo gjë është vetëm çështje kohe, dhe vetëm nëse Perëndimi tregon të njëjtën qëndrueshmëri në mbështetjen e Ukrainës, siç kanë bërë ukrainasit në mbrojtje të vendit të tyre.

Shënim:Kolonel Hamish de Bretton-Gordon, ish-komandant i Regjimentit të Parë të Tankeve në ushtrinë britanike./AlbEu.com/


Shtuar 2.05.2023 11:48