“Shtëpitë e barit” në Shqipëri: Si po shndërrohen banesat me qira në sera me kanabis

Nga “aroma”, “meshigli”, “kimisti”, deri tek “jeran”. Policia i kodon operacionet anti-hashash në të ashtuquajturat “shtëpitë e barit” me emra nga më të ndryshmet.

Por fenomeni është i njëjtë. Disa guxojnë dhe kthejnë shtëpinë e banimit si vatër të mbjelljes së drogës.

Disa të tjerë kthejnë bodrumet në parcela në kushte shtëpie. Të tjerë bashkëpunojnë me punonjës të OSHEE-së për të mos u pikasur mbi vjedhjen e energjisë elektrike që nevojitet për llambat, të cilët në disa raste janë proceduar për shpërdorim detyre.

Por të gjithë janë të rinj, të reja apo çifte që kanë siguruar punën e paligjshme, duke qenë vetë pronarë e vetë të punësuar. Kjo mënyrë e re e mbjelljes së drogës është kthyer përfundimisht në një fenomen, duke llogaritur së paku dy vitet e fundit.

Zbulimi më i fundit, është droga e mbjellë në vazo në një apartament të marrë me qira në zonën e Shkozetit nga një i ri që punonte në një biznes privat.

Policia e Durrësit, i tha Gazetasi.al se shpalli në kërkim një 30-vjeçar me origjinë nga Berati dhe me banim në qytetin bregdetar. Por derisa u bind se duhet të hapte derën e apartamentit në fjalë, agjentëve iu desh të presin e vëzhgojnë përgjatë dy ditëve në këtë zonë me shpresën se i riu do hynte në shtëpi.

Por ky plan masash nuk u eci dhe aq mirë, pasi sipas burimeve pranë policisë së Durrësit, kulitivuesi u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. “Shtëpinë e mori me qira në muajin shtator dhe paguante 150 mijë lekë në muaj dhe e ka marrë me kontratë të rregullt. Fakti që në objekt u gjet dhe u sekuestrua kanabis, na bind se ai ka prodhuar dhe më herët me farën që rritet shpejt.

“Ndërkohë që u sekuestruan 150 vazo me bimë të sapo mbjella”, – përshkroi vendngjarjen njëri nga agjentët e policisë, duke kujtuar se veç këqyrjes dhe sekuestrimit të tyre, kanë marrë edhe kontratën e rregullt, ndërkohë që 30-vjeçari u shpall në kërkim.
30 të arrestuar për shtëpi bari

Deri më tani, në të gjithë vendin janë prangosur për kultivim të bimës narkotike 30 shtetas. Midis tyre edhe gra që bashkëpunuan me partnerët e tyre, por që më pas dolën të lira për shkak të fëmijëve të vegjël.

Në një rast në Shkodër, të dyshuarit deklaruan se ishin pa punë dhe për këtë arsye u shtynë të gjejnë një mënyrë fitimi, pasi në oborrin përpara, nuk u ecnin as shitja e perimeve dhe asgjë tjetër.

Megjithatë, në rastin e zbuluar gjatë verës, ku u bllokuan 132 fidanë me drogë, dhe u bllokuan edhe llambat, burri që u shpall në kërkim, nuk është kapur ende nga policia, ndonëse ndaj tij rëndojnë akuzat e kultivimit të drogës, prodhimit, shitjes dhe vjedhjes së energjisë elektrike.

Laboratorët e drogës të zbuluar deri më tani (ashtu si Gazetasi.al ka raportuar për këtë fenomen, duke përmendur edhe rastin e një vajze të mitur që pretendoi se ishte përdoruese), gjendeshin në qytete, si Lushnja, por ajo që kryeson është Tirana e më pas Durrësi dhe zonat periferike.

Deri më tani, dëshmia më domethënëse për autoritetet, sipas burimeve të Gazetasi.al, është ajo e një administratori pallatesh në Durrës i moshës 62 vjeç (P.C.,), që kishte mbjellë drogë në katin e nëntë të një apartamenti.

“E bëra për të likuiduar kredinë”, – deklaroi në gjykatë i moshuari, që veçoi gjatë rrëfimit të tij se ideja i lindi nga përdoruesit e shumtë, të rinj që pinin hashash dhe që kishin nevojë për mall.

Por ndonëse mbjellja e bimës narkotike në ambiente të mbyllura duhet të ishte lehtësisht e zbulueshme, pasi nevojitet energji elektrike, në disa raste është zbuluar bashkëpunim mes palëve apo mos zbatim i detyrës nga punonjësit e OSHEE.

“Të gjithë ata në gjykatë pretendojnë se energjia është vjedhur dhe se ata e kanë pasur të pamundur të konstatonin shkelje të vjedhjes së energjisë, por ky qëndrim mbetet i dyshimtë”, – thotë policia jo zyrtarisht, që me sa kuptohet ka mbetur në dorë të qytetarëve vigjilentë, të cilët po raportojnë fqinjët e çuditshëm, apo blerjet e çuditshme të komshinjve./SI/


Shtuar 15.12.2021 14:18