Shtëpi bari në Fier, Gjykata lë në burg 44-vjeçarin me dy emra dhe faturistin e OSHEE

Tre ditë më parë policia zbuloi një vilë të përshtatur për kultivim të lëndëve narkotike në Fier.

Gjykata e shkallës parë e rrethit gjyqësor Fier ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për pronarin e vilës në fshatin Dërmenas, ku u gjetën 181 rrënjë hashash, shtetasin Erion Marini alias Xhevair Gashi, 44 vjeç.

Ndërkohë për veprën penale “shpërdorim detyre” gjykata ka vendosur masën Arrest me burg për faturistin Klajdi Grëmi dhe detyrim paraqitje për elektriçistin e OSHEE Behar Fata.

Tre ditë më parë policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 181 rrënjë kanabis sativa të mbjella në vazo në 5 dhoma gjumi në katin e tretë të vilës së Marinit në Dërmënas.

Marini akuzohet për kultivim e trafikim të lëndëve narkotike ndërsa Behar Fata elektricist dhe Klajdi Grëmi faturist për shpërdorim detyre.

Gjatë seancës u pohua se sipas ligjit dhe detyrës kur krahasonte harxhimin e energjisë elektrike nga banorët në matësat e tyre me matësin kryesor të gabinës qendrore faturisti duhet ta kishte vënë re diferencën që vidhej dhe së bashku me elektricistin e zonës duhet të kishin njoftuar shefat e tyre për këtë vjedhje që të kryenin kontrolle.

Gjyqtarja e çështjes Sonila Hoxha pasi dëgjoi palët, prokurorin Dorian Tafili dhe avokatët Petrit Morina dhe Sefret Hoxha vendosi arrest me burg për Erion Marinin dhe Klaidi Grëmin, si dhe detyrim paraqitje për Behar Fatën./Albeu.com/


Shtuar 18.02.2023 11:31