Shqiptarët të irrituar me shtrenjtimin e bukës, kujt i shërben Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri? (FOTO LAJM)

Krahas shtrenjtimit të një pjese të mirë të shërbimeve dhe produkteve të tjera, familjet shqiptare janë duke u përballur me një rritje me 10-20 lekë të çmimit të bukës gjatë javëve të fundit. Buka është një ushqim i përhershëm në tavolinat shqiptare duke bërë që çdo ulje e apo rritje të çmimit të saj të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejt në financat e familjeve me të ardhura të ulta dhe të mesme në vendin tone.

Duket se në lidhje me shtrenjtimin e çmimit të bukës, shqiptarët janë duke paguar edhe mungesën e gatishmërisë së institucioneve shtetërore për të parandaluar abuzimet në tregun e importit të grurit dhe miellit nga ato pak kompani që operojnë në këtë treg.

Diçka e tillë është kuptuar nga shqiptarët, të cilët masivisht kanë vlerësuar në sondazhin e Abcnews.al se shtrenjtimi i bukës ka ardhur për shkak se kompanitë që importojnë grurin dhe miellin në vend operojnë si një kartel, i cili përcakton çmimet duke shkatërruar konkurrencën në treg. Shkatërrimi i konkurrencës në tregje bën që konsumatorët të përballen me çmime më të larta dhe cilësi të ulët shërbimi apo produktesh.

Kështu, pyetjes “Pse mendoni se po shtrenjtohet buka në treg?”, 75% e lexuesve të Abcnews.al i janë përgjigjur se kjo ka ndodhur për shkak të marrëveshjeve kartel mes kompanive; 24% përgjigjen se është një situatë e ndikuar nga tregjet ndërkombëtare, kurse 1% shprehen se nuk e dinë. Gjatë ditëve që sondazhi ishte i hapur, u përgjigjen në total 8 681 qytetarë.

Kush është përgjegjës për parandalimin e marrëveshjeve për përcaktimin e çmimit të grurit dhe miellit në treg?

Institucioni përgjegjës për këtë është Autoriteti i Konkurrencës, i cili sipas ligjit për nr. Nr. 9121 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” duhet të ndalojë çdo lloj marrëveshjeje formale apo informale mes kompanive të importit të grurit dhe miellit, të cilat ndikojnë në rritjen artificiale të çmimit të këtyre produkteve në treg.

Autoriteti i Konkurrencës ka 46 punonjës, 5 komisionerë dhe një buxhet 757 milion lekë (Shiko raportin 2021), përmes të cilit duhet që të përmbushë këtë detyrim ndaj konsumatorit shqiptar.

A e ka përmbushur Autoriteti i Konkurrencës këtë detyrë në rastin e shtrenjtimit të bukës?

Komisioni i Konkurrencës, organi ekzekutiv i Autoritetit pritet të dalë me një vendim në lidhje me sjelljen e 5 kompanitë e importit të grurit dhe miellit. Autoriteti doli me një njoftim pak ditë më parë duke u shprehur se në korrik 2020 kishte konstatuar “sjellje të bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje e cila bie në kushtet e zbatimit të nenit 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Megjithatë, për arsye ende të panjohura, Komisioni i Konkurrencës nuk i gjobiti kompanitë në fjalë. Atyre iu lanë disa detyrime dhe tani pas një viti, Komisioni i Konkurrencës shprehet se do të shohe nëse i kanë përmbushur detyrimet dhe pastaj do të vlerësojë nëse do t’i gjobisë apo jo.

Në këtë mënyrë, Autoriteti i Konkurrencë si fali herën e parë kompanitë që sipas tij u kapën në shkelje, veprim i cili ka prekur xhepat e shqiptarëve.

Mirëpo, shtrenjtimi i çmimit të bukës tregon se kompanitë e falura njëherë nga Komisioni i Konkurrencës pas shkeljes së kapur, nuk kanë ndryshuar praktikë, madje e kanë thelluar atë duke na çuar në situatën kur çdo familje shqiptare tani duhet të paguajë 10-20 lekë më shumë për një bukë.

Faktet tregojnë se ky institucion, me një buxhet gjigant për nga numri i punonjësve nuk e ka kryer detyrimin e tij ndaj konsumatorit shqiptar. Jo më kot, shqiptarët shprehen në shumicë se po e paguajnë bukën me shtrënjtë për shkak të marrëveshjeve kartel mes kompanive të importit të miellit dhe grurit. /abcnews.al


Shtuar 20.09.2021 14:48