Totali i depozitave që familjarët, individët, bizneset dhe institucionet publike kishin në banka arriti në 1.28 trilionë lekë në fund të vitit 2022, ose gati 11 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, kursimet në sistem u shtuar me 5%, duke arritur në 5551 miliardë lekë. Këto janë ritmet më të ulëta të rritjes që nga viti 2019.
Në vlerë depozitat u rritën me 61 miliardë lekë në 2022-n, nga 103 miliardë lekë që ato ishin shtuar në 2021-n.
Ngadalësimi lidhet kryesisht me ecurinë e dobët të kursimeve në lekë, ndërsa rritja është udhëhequr tërësisht nga valuta.
Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë ishin pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2021, me një tkurrje të lehtë prej 640 milionë lekësh (-0.1%).
Kjo është ecuria më negative që nga 2019-n. sidomos gjatë vitit pandemik, kursimet në monedhën vendase shënuan rritje, duke u ndikuar kryesisht nga pamundësia për të shpenzuar, si rrjedhojë e kufizimeve në lëvizje.
Tendenca ishte pozitive dhe në 2021-n, ndërsa në 2022-n, çmimet e larta duket se kanë ndikuar në aftësinë e familjeve dhe individëve për të kursyer, ndonëse në gjysmën e dytë të vitit interesat e depozitave ishin më të favorshme, për shkak të shtrëngimit të politikës monetare të bankës së Shqipërisë.
Depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 6% në 2022-n, duke qenë faktori kryesor që ndikoi këtë ecuri të dobët. Në tjetër arsye lidhet edhe me joshjen për të investuar në bono thesari, për shkak të rritjes së lartë të normave, çka bëri që kursimet të zhvendosen nga depozitat në letrat me vlerë të qeverisë.
Në të kundërt, kursimet në valutë kanë vijuar me rritjen e fortë. Stoku i depozitave në monedhë të huaj arriti në rekordin e 725 miliardë lekëve, duke u rritur ndjeshëm me 9.3%.
Kjo ecuri u ndikua si nga kursimet e bizneseve ashtu dhe të individëve. (Zgjerimi mund të jetë edhe më i fortë, nëse zhvishet efekti i kursit të këmbimit, pasi depozitat raportohen në lekë, ndërkohë që euro u zhvlerësua ndjeshëm në 2022).
Si rrjedhojë e rritjes së fortë, në fund të vitit 2022, depozitat në valutë zinin 56.8% të totalit në fund të 2022-t, nga 54.6% një vit më parë./monitor