Shqipëria pret liderët e BE-së më 6 dhjetor, “fatura e hidhur” që duhet të paguajë vendi ynë

Më 6 dhjetor Shqipëria do të presë për herë të parë liderët e Bashkimit Europian në Tiranë.

Kjo vizitë mësohet se do t’i kushtojë shtetit shqiptar 450 mijë euro.

Kështu, me vendim të Këshillit të Ministrave, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, do t’i shtohet fondi prej 450 mijë euro për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë në dhjetor. Siç edhe bëhet e ditur, “fatura” e Samitit BE-BP, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

Disa ditë më parë, Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm

Po në këtë datë, opozita e kryesuar nga Sali Berisha ka paralajmëruar protestën e radhës. I pyetur nga gazetarët pas kritikave të shumta të bëra nga qeveria për zgjedhjen e kësaj date pikërisht në ditën kur në Shqipëri do të “zbarkojnë” liderët e BE-së, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se synimi është që t’u tregohet drejtuesve të unionit që “Shqipëria rënditet poshtë Vietnamit kur vjen puna te standardet e demokracisë.”