Nga; Ornela Çuçi
Në Shqipëri kemi një zakon të keq: fajësojmë rininë për gjithçka — “s’kanë vullnet”, “nuk mësojnë”, “rrinë vetëm në TikTok”… dhe ndërkohë edhe jua mbyllim TikTok-un.
Po ku e kemi kërkuar këtë rini që na mungon? Se mua më del përpara çdo ditë. E gjej tek djali i hidraulikut që punon 14 orë në ditë e pastaj vjen në universitet e më tregon se ç’është përgjegjësia.
E gjej tek vajza e asaj gruas që punon në furrë, që ngrihet në katër të mëngjesit, dhe kur ne akoma jemi në fazën REM, ajo është në fazën “letër A4, 12 font, spacing 1.5”.
E gjej tek fëmijët e mësuesve që s’kanë mik në parti, por kanë tru në kokë.
Dje, në prezantimet e provimeve të gjysmë-semestrit, u ndjeva si student, jo si pedagog. Sepse ka raste që studentët tanë na edukojnë më shumë nga ç’provojmë ne t’i edukojmë ata.
Dhe kjo është e bukur. Dhe pak e turpshme, nëse jemi të sinqertë.
Por kjo rini ka nevojë për diçka që ne shpesh e harrojmë: hapesirë. Jo për të parkuar tek kafja, por për të qenë vetja.
Për të bërë pyetje të vështira, për të gabuar, për të eksploruar. Dhe ne që jemi më “rritur”, duhet të bëjmë pak më shumë vend… në mendje, dhe mbase edhe në karrige…
Kam pasur alergji gjithmonë ndaj atyre profesorëve që thonë “10 është për veten time”. A thua se është byrek me spinaq që do e çosh në shtëpi.
Dija nuk është për t’u ruajtur në raft, është për t’u shpërndarë si buka e ngrohtë në furrë. (Pa radhë, nëse është e mundur.)
Nëse vërtet duam të ndryshojmë këtë vend, le të fillojmë duke edukuar ata që edukojnë. Pedagogët dhe mësuesit.
Të mos jenë thjesht njerëz me tituj, por njerëz me zemër, me prani, me dëshirë për të mësuar edhe mbi të gjitha të kuptojmë se jetojmë në vitin 2025 – e jo vetëm të jetojnë në kujtimet e vitit kur morëm diplomën.
Sepse rinia jonë nuk ka nevojë për leksione — ka nevojë për udhëzime, besim dhe… pak hapësirë për të marrë frymë. Dhe kur ua jep këtë, bëjnë mrekulli.
Dua të besoj se në ndonjë univers paralel, edhe trasta e “10-ave” është kthyer në çantë që hapet e shpërndahet, jo që mbahet si thes me thesare personale.
Në këtë universin tonë, unë ende po përpiqem.