Në Shqipëri, në vitin 2024, në institucionet publike të shërbimit spitalor, ishin në dispozicion 8,911 shtretër, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT.
Në krahasim me popullsinë e atij viti, prej 2.39 milionë banorësh, në vend ka 372 shtretër për 100 mijë banorë.
Të lidhura
None found
Duke i krahasuar këto të dhëna me shifrat e fundit të publikuara nga Eurostat, që nuk e përfshijnë Shqipërinë, rezulton se në raport me shtetet e tjera të Europës, apo dhe të rajonit, vendi ka më pak shtretër në raport me popullsisë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 507 shtretër për 100 mijë banorë dhe mbetet pas shumë vendeve, përfshirë dhe ato të rajonit, për të cilat ka të dhëna.
Rekordin në rajon e ka Serbia (606 shtretër), e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 4520 (të dhënat e vitit 2021) dhe Mali i Zi (387).
Pavarësisht se popullsia e Shqipërisë është tkurrur dekadat e fundit, duke “lehtësuar” barrën në spitale dhe treguesi për shtretër në raport me popullsinë është përmirësuar në krahasim me 2014-n, kur ishte 296 shtretër për 100 mijë banorë, sërish vendi vijon të mbetet afër fundit të Europës.
Në vitin 2014, në institucionet publike kishte 8295 shtretër, sipas INSTAT, dhe një dekadë më vonë numri i tyre është rritur lehtë me 7.4%, por përmirësimi i treguesit ka ardhur më shumë nga rënia e popullsisë me 400 mijë banorë në të njëjtën periudhë.
Ndërsa popullsia si numër është në rënie, barra e sëmundjeve në fakt ka ardhur në rritje, si rrjedhojë e popullsisë, duke shtuar presionin mbi spitalet shqiptarë, që përveçse kanë më pak shtretër se shumë shtet në Europë, po vuajnë dhe nga emigracioni i mjekëve.
Për më tepër, që shumë spitale rajonale janë kthyer në ambulanca dhe ndërhyrjet e vështira realizohen në spitalet e Tiranës, duke i mbipopulluar këto të fundit.
