Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të jenë nga dita e sotme me kontroll të përbashkët kufitar, gjë që pritet të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.
Gjatë fjalës së tij në pikën kufitare të Qafë Thanës, krah kryeministrit Edi Rama, kryeministri maqedonas Dimitar Kovacevski tha se ky është shembull si duhet të sillen dy vende fqinje.
Ai shtoi se në Evropë nuk ka kufij, prandaj të tillë nuk ka pse të ketë as mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Sot ne jemi shembull si duhet të sillen dy vende fqinje. Me këtë lehtësohet puna e kompanive tona.
Në Ballkan nuk na duhen kufijtë, kufij nuk ka në Evropë dhe nuk ka pse të ketë në Ballkan. Nëse shikoni marrëdhëniet politike mes Maqedonisë dhe Shqipërisë janë në nivelin më të lartë.
Jemi bashkë këtu me Shqipërinë që të hapim one stop shop për shërbimet policore dhe doganore”, tha ndër të tjera kryeministri Maqedonas.