SORI-AL ka reaguar pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) përfundoi kontrollet për dy episodet me shqetësime shëndetësore të raportuara mes studentëve të Akademisë së Sigurisë dhe i lejoi kompanisë së kateringut të vazhdojë normalisht aktivitetin.
Përmes një deklarate publike, shoqëria thotë se gjatë më shumë se dy muajve është akuzuar se ka shkaktuar një “helmim masiv ushqimor”, ndonëse, sipas saj, përfundimet e verifikimeve zyrtare nuk kanë vërtetuar asnjë lidhje ndërmjet ushqimit të përgatitur prej kompanisë dhe gjendjes shëndetësore të studentëve.
Të lidhura
None found
“Dy muaj akuza. Një përfundim zyrtar krejt tjetër”, deklaron SORI-AL, duke nënvizuar se asnjë institucion nuk e ka konfirmuar pretendimin për helmim masiv ushqimor pas mbylljes së të gjitha procedurave të kontrollit.
Kompania pohon se gjatë kësaj periudhe ka bashkëpunuar pa rezerva me çdo institucion shtetëror. Sipas saj, ambientet janë hapur për kontrolle dhe rikontrolle, autoriteteve u janë dorëzuar dokumentacioni dhe produktet e kërkuara, ndërsa përfundimi i verifikimeve është pritur pa zhvilluar gjyqe mediatike dhe pa paragjykuar punën e institucioneve.
Duke iu referuar dokumenteve zyrtare, SORI-AL bën të ditur se QSUT nuk ka diagnostikuar asnjë pacient me helmim ushqimor. Kompania shton se nuk ekziston ndonjë raport mjekësor që ta lidhë gjendjen shëndetësore të personave të paraqitur me konsumimin e ushqimit të përgatitur prej saj.
Edhe kampionet ushqimore të marra gjatë kontrolleve zyrtare dhe të analizuara nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), sipas deklaratës, kanë dalë negative. I njëjti rezultat është konfirmuar gjithashtu nga analizat e realizuara në një laborator privat të akredituar.
SORI-AL thotë se Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nuk ka evidentuar shkelje ligjore, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se nuk ka kryer analiza laboratorike të ushqimit. Nga ana tjetër, AKU e ka mbyllur procedurën e kontrollit pa konstatuar shkelje dhe ka autorizuar vijimin normal të aktivitetit të shoqërisë.
Në reagim paraqiten edhe të dhënat klinike të studentëve që u drejtuan në QSUT, të cilat, sipas kompanisë, japin një panoramë të ndryshme nga perceptimi i krijuar në opinionin publik.
Gjatë episodit të parë, në QSUT u paraqitën 45 persona. Prej tyre, 43 u larguan brenda 1 deri në 4 orësh, ndërsa vetëm 2 qëndruan për një monitorim më të gjatë. Në episodin e dytë u paraqitën 67 persona, nga të cilët 66 dolën brenda 30 minutash deri në pak orë, ndërsa vetëm një person mbeti i shtruar për disa ditë.
“Këto janë fakte zyrtare mjekësore, jo interpretime”, thekson SORI-AL. Shoqëria argumenton se mbrojtja e emrit të një biznesi nuk duhet konsideruar çështje dytësore, sidomos kur bindja e publikut është formuar përpara se autoritetet të përfundonin verifikimet.
Sipas kompanisë, pavarësisht rezultateve të procedurave zyrtare, dëmtimi i reputacionit tashmë ka ndodhur dhe nuk mund të zhbëhet vetëm nëpërmjet një procesverbali apo një njoftimi administrativ.
SORI-AL përmend gjithashtu reagimet e ditëve të fundit të institucioneve shtetërore kundër dëmtimit të reputacionit të bizneseve nga komentet dhe vlerësimet e rreme në rrjetet sociale, ku është theksuar se mbrojtja e biznesit përbën interes publik.
Kompania shprehet se e përkrah këtë standard, por kërkon të dijë se kush përgjigjet për dëmin kur reputacioni i një biznesi cenohet nga komunikimet ose veprimet e vetë institucioneve publike, të cilat në përfundim nuk gjejnë mbështetje në dokumentet zyrtare të procedurave të zhvilluara prej tyre.
Në mbyllje të deklaratës, SORI-AL nënvizon se në një shtet të së drejtës, e vërteta duhet të marrë të njëjtën jehonë publike që mori edhe akuza.
