Shpik të sëmurë imagjinarë për të fituar para, kapet mashtruesi nga Kosova

Mashtrimi nëpërmjet bamirësisë është një nga metodat më të përhapura nga individë dhe grupe personash, të cilët kërkojnë të përfitojnë duke shpikur histori me sëmundje të individëve, që në realitet nuk ekzistojnë.

Metoda është e thjeshtë dhe efikase. Mashtruesit përgatisin një dosje me një emër të sajuar, në të cilën vendosin diagnozën e një sëmundjeje të rëndë, për kurimin e të cilës, duhet një shumë e madhe parash dhe që natyrisht, familja e të sëmurit nuk ka mundësi ta paguajë.

Në Kosovë, Piranjat zbuluan një person që prezantohet si bamirës po kërkon të zgjerojë “biznesin” e tij edhe në Tiranë. Për këtë i duhen bashkëpunëtorë. Që këtë radhë vendosëm të jemi ne.

Për ta takuar Hajredin Pirecin udhëtojmë drejt Klinës, një qytezë me 5.500 banorë fare pranë Pejës.

Sapo e takojmë, ai nis të na shpjegojë mënyrën se si operon në terren.

Thotë se po kërkon para për një person që i ka shpikur emrin dhe sëmundjen. Sëmundjen e ka quajtur, sëmundja e leukociteve.

“Nëse ti që po na sheh këtë investigim apo po lexon këtë tekst, je një mjek, të lutem mos e shih më vidon ose mos vazhdo leximin për pak minuta. Në të kundërt, hiq dorë nga profesioni.”

Mashtruesi që ra në rrjetën e Piranjave i sqaron “bashkëpunëtores së re”, se leukocitet është sëmundje e organeve gjentitale të burrave.

Mes të tjerash i sqaron se do marrë përqindje për paratë që do mbledhë.

Por përveç trajnimit në teori, bashkëpunëtorja e Piranjave, do duhet të përballet edhe me praktikën e punës në terren.

Sigurisht e shoqëruar nga mjeshtri mbarëkombëtar i bamirësisë.

Strategjia e tij është efikase dhe për këtë zgjedh ambiente, në të cilat vështirë të refuzojnë donacionet, siç janë lokalet, dyqanet dhe parukeritë. Mjeshtri i mashtrimit ndalon njerëz të ndryshëm, ju flet me mirësjellje dhe ju shpjegon se po mbledh para për një të sëmurë. Pasi arrin qëllimin dhe merr paratë e mbyll bisedën me frazën standarde: “Allahu të ruajtë!”

Këtë strategji, 30 vjeçari e zbaton thuajse çdo ditë, në qytete të ndryshme të Kosovës.

Pra i njëjti person kërkon para për “bamirësi”, vetëm ndryshon dosjen dhe emrin e të sëmurit imagjinar.

Për të zgjedhur viktimat e mashtrimit, Hajredin Pireci i ka idetë e qarta. Ai shënjestron edhe emigrantët, të cilët duke qënë më të ndjeshëm tregohen, më dorëlëshuar.

Këtë aktivitet e kryen në mes të ditës, por gjithmonë duke u treguar i kujdesshëm kundrejt organeve ligjzbatuese.

Pasi kemi mësuar me detaje se si funksionon skema e tij e mashtrimit, është momenti të hapim letrat dhe të bëjmë një bisedë me të.

Piranja, Lediona Xheladinaj i afrohet dhe nis ta pyesë se përse mashtron. Sigurisht ai gënjen dhe e mohon.

Në bisedë e sipër, ndërhyn policia. Pavarësisht rezistencës së tij e shoqëron për në komisatriat.


Shtuar 7.04.2023 22:21