Shpërthimi u dëgjua deri 6 kilometra larg, një i vdekur nga shpërthimi në fabrikën me lëndë kimike

Të paktën një person ka ndërruar jetë si pasojë një shpërthimi të fuqishëm në një kompleks petrokimi në Shangai mëngjesin e së shtunës.

Zjarri ndodhi në zonën e fabrikës së etilen glikolit të kompleksit petrokimik të Sinopec rreth orës 4:00 të mëngjesit në distriktin Jinshan të qytetit, tha kompania në llogarinë e saj zyrtare në Weibo.

Ekipet e shpëtimit nga rrethet Jinshan dhe Fengxian, dhe parku industrial kimik i qytetit, u dërguan në vendngjarje, sipas departamentit të zjarrfikësve të Shangait. Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar, shtoi ai. Rreth orës 9:00 të mëngjesit me orën lokale, kompania tha se zjarri ishte vënë nën kontroll.

Kina ka parë një sërë aksidentesh industriale në vitet e fundit që kanë lënë shumë të vdekur, duke ngritur shqetësime për sigurinë publike.

Në vitin 2015, të paktën 173 njerëz vdiqën pas një serie shpërthimesh në një magazinë kimike në qytetin portual verior të Tianjin.

Tetorin e kaluar, të paktën tre persona u vranë dhe më shumë se 30 u plagosën në një shpërthim të fuqishëm në një restorant në qytetin verilindor të Shenyang. Shpërthimi i gazit ndodhi në një ndërtesë banimi dhe tregtare me përdorime të përziera.