Policia ka arrestuar sipërmarrësin Leonard Gjini, në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në 1 Mars në Lushnje, ku shpërthimi në një kapanon në ndërtim, i mori jetën 2 personave përkatësisht babë e bir, si dhe plagosi 7 të tjerë.
32-vjeçari Gjini, është vënë në pranga me urdhër të prokurorit për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë me pasoja të rënda.
Sipas policisë, ai ka qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonin dhe ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik dhe mbrojtjes në punë.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Si pasojë e shpërthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Uniformat blu, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.