Shpërthimi në portin e Bejrutit, shemben tetë depozita gruri

Tetë depozita të tjera gruri u shembën në portin e Bejrutit, duke u dorëzuar kështu përpara dëmeve të shpërthimit shkatërrues të vitit 2020, pasojat e te cilit ndihen ende.

Kjo është e treta shembje e këtij lloji brenda një muaji, raporton AFP. Një re gjigande pluhuri u ngrit mbi port pas shembjes, e cila rrëzoi pjesën e fundit të bllokut verior të sillosëve, bllok ky që u dëmtua më rëndë nga shpërthimi e që në muajin korrik, u përfshi edhe nga një zjarr.

Blloku i mbetur jugor është më i qëndrueshëm dhe sipas inxhinjerit francez Emmanuel Durand, i cili ka instaluar sensorë në kapanone, nuk ka rrezik te menjëhershëm kolapsi. Depozitat ishin ato që tërhoqën pjesën më të madhe të impaktit të shpërthimit masiv të nitratit të amonit të ruajtur në kushte jo të përshtatshme. Nga episodi tragjik humbën jetën më shumë se 200 vetë 4 gushtin e 2020-tës. Sillosë të tjerë u shembën edhe në fund të muajit të kaluar. Në prill, qeveria urdhëroi rrëzimin e kontrolluar të depozitave, por operacioni u pezullua, pjesërisht për shkak të kundërshtimit të të afërmve të viktimave të shpërthimit, të cilët kërkojnë që ato të ruhen si kujtim./albeu.com