Shpërthim me bombë, vritet emëruari i Rusisë në Ukrainë

Kryetari i emëruar nga Moska në qytetin e pushtuar ukrainas, Mihajllivka, Ivan Sushko, është vrarë nga shpërthimi i një makine-bombë.

Përfaqësuesi i autoriteteve të vendosura nga Rusia në rajonin e Zaporizhjas në Ukrainë, Volodymyr Rogov, ka thënë në platformën Telegram më 24 gusht se Sushko ka vdekur në spital, pasi një bombë “e vendosur qëllimshëm nën ulësen e makinës së tij” ka shpërthyer.

Prej kur Rusia ka nisur emërimin e zyrtarëve në zonat që ka marrë nën kontroll nga nisja e luftës, disa prej tyre janë sulmuar.

Më 6 gusht, Vitaliy Hura, zëvendëskryetar i emëruar nga Rusia në qytetin ukrainas, Nova Kakovka, është qëlluar për vdekje nga një sulmues i paidentifikuar teksa ka qenë duke dalë nga shtëpia.

 

 

Një ditë më vonë, agjencitë ruse të lajmeve kanë raportuar se guvernatori i emëruar nga Rusia në rajonin Herson, Volodymyr Saldo, është shtruar në spital.

Në disa raportime është thënë se ai mund të jetë helmuar.

Më 24 qershor, një makinë-bombë në Herson ka lënë të vdekur udhëheqësin e emëruar nga Rusia për politika të të rinjve në Herson, Dmytro Savluchenko.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./albeu.com

Shtuar 24.08.2022 15:28