Një incident i rëndë ka ndodhur në Himarë, ku janë plagosur 5 persona, 4 prej tyre pushues nga Kosova, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Rreth orës 17:30, në zonën e Drimadhës, Himarë, në një mjet lundrues skaf në pronësi të një kompanie turistike, që sapo kishte dalë në det nga korridori ujor i miratuar, dyshohet se si pasojë e vakumit dhe nxehtësisë, ka shpërthyer një bidon me 28 litra benzinë.
Nga sprucimi i benzinës kanë pësuar djegie të lehta shtetasit A. K., 24 vjeç, A. H., 24 vjeç, L. S. 24 vjeç dhe M. K., 21 vjeçe, të katërt nga Kosova, si dhe drejtuesi i skafit, shtetasi N. L., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Të pestë këta shtetas kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë larguar pasi dëmtimet ishin të lehta.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të shkakut të përfshirjes nga zjarri, të mjetit turistik.