SPAK ka kërkuar 4 vite burg dhe gjykim të shkurtuar për ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
Seanca mbahet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjykata e Posaçme më 10 prill 2023, kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj dhe 10 zyrtarëve të tjerë, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Tetorin e vitit te kaluar, Gjykata e Apelit në Shkodër gjeti fajtorë dhe dënoi me nga tre vjet burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, dhe ish-kryetarin e qarkut Lezhë, Gjok Ndoka, të akuzuar për tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë çështje së bashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm./albeu.com