Shpërblimi i fundvitit për policinë/ Ministri Hoxha: Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projekt-vendimin ditën e hënë

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë një vizite në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, është përgjigjur shqetësimeve në lidhje me shpërblimet dhe orët shtesë të papaguara të efektivëve të policisë.

Hoxha siguroi se Ministria e Brendshme, ka propozuar një akt për heqjen e kritereve që pengonin shpërblimet për punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Unë besoj se të hënën, Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projektvendimin për dhënien e shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit”, deklaroi ai.

Sipas Hoxhës, të gjitha orët shtesë dhe suplementare janë të parashikuara në Aktin Normativ, tashmë të miratuar dhe shpërblimet do të jepen sipas rregullave ligjore.

“Nuk ka asnjë keqkuptim apo mosrakordim midis strukturave dhe vendimeve të qeverisë për këtë çështje. Çdo gjë është e përputhur me ligjin dhe do të zbatohet sipas vendimeve të parashikuara”, shtoi ministri.

Hoxha përmbylli fjalën duke theksuar se efektivët do të marrin shpërblimet e tyre pa vonesa të mëtejshme, bazuar në dispozitat ligjore të miratuara.

Pyetje: A jeni në dijeni të ankesave të efektivëve të policisë që ende nuk kanë marrë lekët e shpërblimit, ato për orët shtesë. Çfarë do të ndodhë për këta?

Ministri Hoxha: Ministria e Brendshme ka bërë një propozim për heqjen e kritereve dhe përjashtimit të Policisë së Shtetit sa i përket një kriteri i cili vitet e tjera nuk ka qenë i realizuar për shkak të buxhetit.

Unë besoj se të hënën, Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projekt-vendimin, të cilin ne e kemi propozuar për dhënien e shpërblimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Orët shtesë dhe suplementare janë të gjitha të parashikuara në Aktin Normativ, i cili është miratuar dhe të gjitha orët shtesë do të jepen sipas parashikimeve ligjore. Nuk ka asnjë keqkuptim e mosrakordim të strukturave dhe të projekt-vendimeve të dala nga qeveria në raport me dhënien e shpërblimit dhe orëve suplementare të Policisë së Shtetit. Çdo gjë është sipas asaj që neve kemi thënë dhe çdo gjë do të ndodhë sipas këtyre vendimeve të parashikuara në ligjin përkatës. Faleminderit.


Shtuar 29.12.2024 13:36