Shpenzimet për shëndetësinë, në raport ekonominë dhe shpenzimet e përgjithshme buxhetore, kanë ardhur në ulje në vitin 2022, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në një kohë që nevojat e popullsisë së vendit për këto shërbime po rriten prej plakjes dhe rritjes së barrës së sëmundjeve.
Shpenzimet publike në sektorin e shëndetësisë për vitin 2022 janë 63.8 miliardë lekë. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ato arritën në 2.98% dhe kanë shënuar rënie vjetore me 0,44 pikë përqindje, ndërsa shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,90 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.
Shpenzimet buxhetore për shëndetësinë në raport me PBB-në ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2017.
Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar përgjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten.
Treguesit zyrtare referojnë se brenda buxhetit të shëndetësisë ka shpërndarje jo të barabartë të fondeve.
Gati për një dekadë buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vend numëro në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.
Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore.
Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare.
Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024, vetëm 20.6%
Rritja e fondeve për shëndetësinë po thithet nga koncesionet PPP që dhanë për disa shërbime jothemelore në hetim për abuzime dhe deri tani ka disa të arrestuar.
P.sh., për koncesionin e shërbimeve laboratorike vitin që vjen janë planifikuar 1,85 miliardë lekë ose 42% më shumë se vlera e përcaktuar në kontratën fillestare.
Gjithashtu kontrata e sterilizimit do të financohet vitin që vjen me 1,75 miliardë lekë, nga 1,2 miliardë që ishin parashikuar pagesat vjetore në kontratë.
Nevojat e popullsisë për medikamente po rriten se tepërmi prej përhapjes sëmundjeve jo të transmetueshme dhe këtë e tregojnë edhe importet e barnave, të cilat u rritën me 70% nga viti 2013 deri më 2022. / Monitor