“Shkundet” administrata, shkurtime punonjësish në disa institucione

Administrata shqiptare do të pësojë ndryshime të shumta dhe shkurtime të numrit të punonjësve.

Vendimin e ka marrë Këshilli i Ministrave, i cili ka vendosur të bëjë një rishpërndarje të numrit të punonjësve në institucione në njësitë e qeverisjes vendore për vitin 2021.

Këto ndryshime prekin institucionet e kryeministrisë, njësinë anti-korrupsion, ministrinë e Drejtësisë si dhe atë të Shëndetësisë.

Edhe fondet publike të këtyre institucioneve do të pësojnë ndryshime.

Ndryshime në numrin e punonjësve

-Numri i punonjësve të aparatit të Kryeministrisë, për vitin 2021, pakësohet me 5 (pesë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Kryeministrisë në 172 (njëqind e shtatëdhjetë e dy) punonjës.

-Numri i punonjësve të Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Evazion, për vitin 2021, pakësohet me 7 (shtatë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të institucioneve në varësi të Kryeministrisë në 1 198 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e tetë) punonjës.

-Numri rezervë i punonjësve për vitin 2021 pakësohet me 9 (nëntë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm rezervë në 11 (njëmbëdhjetë) punonjës.

-Numri i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2021, shtohet me 21 (njëzet e një) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 5 352 (pesë mijë e treqind e pesëdhjetë e dy) punonjës.

-Numri i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2021, pakësohet me 3 (tre) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 5328 (pesëmijë e treqind e njëzet e tetë) punonjës.

-Numri i punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për vitin 2021, shtohet me 3 (tre) punonjës për Shërbimin Social Shtetëror, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 4296 (katërmijë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë) punonjës.

Ndryshime në shpërndarjen e fondeve

-Në buxhetin e vitit 2021, të miratuar për grupin buxhetor nr.87, “Institucionet në varësi të Kryeministrisë”, në programin “Shërbime të tjera”, pakësohet fondi prej 13 808 365 (trembëdhjetë milionë tetëqind e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”.

-Në buxhetin e vitit 2021, të miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, shtohet fondi prej 13 808 365 (trembëdhjetë milionë tetëqind e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”./albeu.com/