Shkuan për të vjedhur 500 mijë euro, grupi i Dumanit dhe Çelës del nga shtëpia e Hamit Haxhisë me 2 mijë euro dhe arkën e kursimeve të fëmijëve

Në dosjen hetimore të SPAK është dhe vjedhja me dhunë e banesës së shtetasit Hamit Haxhia nga 3 persona të maskuar që janë paraqitur si policë të anti-drogës. Ata kanë shpërthyer derën dhe kanë hyrë brenda, aty kanë gjetur bashkëshorten e Haxhisë të cilës i thanë se po kryenin kontrolle për drogë dhe e kërcënojnë se nëse lëviz do t’i vrasin çunin.

Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, grabitja e shtëpisë së tij u bë pasi ai dhe Talo Çela kishin informacion se sipër dollapit, Haxhia kishte 500 mijë euro.

Nga grabitja, sipas dosjes së SPAK, 3 personat dolën duarbosh në krahasim me atë që pretendonin të merrnin. Ata vodhën një sasi prej 2000 eurosh, 60000 lekë rreth 500.000 lekë të kursimeve të fëmijëve të cilat kanë qenë të futura në një arkë druri.

Pjesë nga dosja e SPAK:

Lidhur me faktin penal të vjedhjes me dhunë të shtetasit Hamit Haxhia, ngjarje e ndodhur në datën 11.02.2013.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 27.04.2022 procedimin penal nr.90 (në bazë të akteve të procedimit nr. 269/1 të vitit 2013 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, të rifilluar), që bën fjalë për vjedhjen me dhunë të shtetasit Hamit Haxhia, ngjarje e ndodhur në datën 11.02.2013. Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale të “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamit Haxhia, e kryer në datën 11.02.2013 në qytetin e Durrësit, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Procedimi penal nr.269/1 i vitit 2013 ka objekt hetimi ngjarjen e datës 11.02.2013, ku rreth orës 04.05, në lagjjen “Popullore” Shijak Durrës dhe pikërisht në banesën e shtetasit Hamit Haxhia, në kohën kur ky i fundit ka dalë nga shtëpia e tij për të shkuar në Tiranë (për probleme të tij personale). Mbasi Hamiti ka dalë nga banesa bashkëshortja e tij shtetasja Anila Haxhiu e ka mbyllur derën nga brenda me çelës, mbas disa minutash dera shpërthehet me forcë nga tre persona të pa identifikuar dhe të maskuar të cilat janë prezantuar si Policia Antidroga dhe kanë thënë fjalët do të bëjmë kontrolle në banesë për droge. Më tej të tre personat kanë filluar që të kontrollojnë shtëpinë, në dhomën e gjumit ku ndodhej Anila, në kuzhinë si dhe në dhomën e gjumit të vjehrrës së saj. Mbasi personat kanë kontrolluar gjithë ambientet e brendshme të banesës kanë vjedhur një sasi prej 2000 eurosh, 60000 lekë rreth 500.000 lekë të kursimeve të fëmijëve të cilat kanë qenë të futura në një arkë druri.

Më datën 11.02.2013, rreth orës 04.05, në lagjen “Popullore”, Shijak, Durrës dhe pikërisht në banesën e shtetasit Hamit Haxhia pasi Hamiti ka dalë nga banesa e tij për të shkuar në Tiranë, bashkëshortja e tij shtetasja Anila Haxhiu e ka mbyllur derën nga brenda me çelës, mbas disa minutash dera shpërthehet me forcë nga tre persona të pa identifikuar dhe të maskuar të cilat janë prezantuar si Policia Antidroga dhe kanë thënë fjalët do të bëjmë kontrolle në banesë për droge. Më tej të tre personat kanë filluar që të kontrollojnë shtëpinë, në dhomën e gjumit ku ndodhej Anila, në kuzhinë si dhe në dhomën e gjumit të vjehrrës së saj. Mbasi personat kanë kontrolluar gjithë ambientet e brendshme të banesës kanë vjedhur një sasi prej 2000-eurosh, 60000 lekë rreth 500.000 lekë të kursimeve të fëmijëve të cilat kanë qenë të futura në një arkë druri.

Në lidhje me ngjarjen është pyetur si person që tregon rrethana hetimi shtetasja Anila Haxhiu e cila në deklarimet e saj kë dëshmuar se: Më datën 11.02.2013, rreth orës 04:05, mbasi është shpërthyer dera e jashtme e banesës së saj, janë futur brenda tre persona nga të cilët dy kanë shkuar në dhomën e saj të gjumit ku ajo ndodhej së bashku me djalin e saj duke fjetur gjumë. Në dhomën e gjumit ka pasur shumë pak dritë i krijuar nga qëndrimi i ndezur i llambës së kompjuterit, ku ajo ka dalluar dy persona të cilët qëndronin njëri nga krahu i majtë i dritares dhe tjetri nga krahu i djathtë i krevatit ku ndodhet dhe gardëroba e rrobave. Personi i cili qëndronte me pistoletë në dore nga krahu i djathtë i krevatit ka thënë fjalët “Mbylle gojën mos fol, kontrolloni vetëm për drogë, kjo shtëpi ka drogë, mos luj mos luj se ta vrava çunin”. Në këtë kohë personi i cili mbante në dorë armën tip pistoletë ia ka drejtuar djalit të Anilës duke i hedhur asaj në kokë batanijen e cila ndodhej në krevat. Në këtë  kohe Anila ka marrë në sirtarin e komodinës një portofol ku në të ndodheshin 2000-euro dhe ia ka dhënë personit i cili mbante armën në dorë ku me tej të dy personat kane dalë nga dhoma e gjumit. Me tej në derën e dhomës së gjumi Anila ka parë një person të tretë i cili ishte më i shkurtër nga dy personat e tjerë i cili ka ndezur dritën e korridorit dhe janë larguar nga dera kryesore e shtëpisë. Gjithashtu Anila shpjegon se personi i cili mbante në dorë armën gjatë qëndrimit në dhomën e gjumit mbante veshur tuta sportive ku pranë xhepit lexohej “Puma” si dhe xhup me ngjyrë të zezë, me një gjatësi rreth 1.78 cm, trup mesatar. Këtë person Anila shpjegon se: Mbasi ajo ka dëgjuar nga goja e tij fjalët e theksuara më lartë, është në gjendje që ta njohë atë me anë të zërit në se i  paraqitet. Zëri i këtij personi sipas saj është i veçantë dhe i trashë, nuk ka kryer komunikime të mëparshme me persona të cilët kanë zërin e personit që ajo ka fiksuar në këtë ngjarje. Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore shtetasja Anila Haxhiu kishte dëgjuar zërin e personave që e kishin kërcënuar, ku për është kryer njohja me anë të zërit të personit, dhe Anila Haxhiu e cila ka bërë njohjen nga zëri të shtetasit Emiljan Lami si person që e kishte kërcënuar gjatë grabitjes. Anila gjatë shpjegimeve të saj ka përshkruar fizikisht personat e dyshuar, ku më tej është kryer dhe këqyrja fizike e personit nën hetim shtetasit Emiljan Lami. Në deklarimet e tij si person nën hetim shtetasi Emiljan Lami shpjegon se më datën 10.02.2013 ka shkuar në shtëpi rreth orës 21.00 dhe nuk ka dalë për asnjë moment nga banesa deri në kohen kur në shtëpinë e tij ka shkuar policia dhe e ka shoqëruar atë në polici ku ka dhënë dhe deklarimet në lidhje me ngjarjen.

Me rëndësi për këtë çështje është deklarimi i shtetasit Nuredin Dumani dhënë për organin e akuzës, i cili sqaron se: “….Grabitja e radhës ka qenë në Shijak në vitin 2013, kemi qenë 5 veta, unë, Talo Çela, Gent Sharra, Gon Qafa… Informacionin për grabitjen na e dha Dorjan Shkoza pasi familja e tij jetonte një kat më poshtë personit qa do banim grabitjen. Dori na thoshte që personi që jetonte mbi banesën e tij merrej me pulari. Informacionin e kishte motra e Dorit, e cila kishte hyrje dalje me të zonjën e shtëpisë, e cila i kishte thënë se në dollapë kishte mbi 500.000 Euro. Tek kjo shtëpia ishin dy çuna të vegjël 10 vjeç, zonja e shtëpisë dhe vjehrra. Në këtë ngjarje kemi përdorur një mjet ML ngjyrë blu e errët, e rregullt me targa të vjedhura. Ky mjet ishte në emrin tim. Kemi shkuar në orën 4 të mëngjesit sepse në atë orë dilte i zoti i shtëpisë. Dera ishte e blinduar dhe Talo e hapi atë 3-5 minuta pasi kishte me vete veglat që hapte dyert. Pasi u hap dera u futëm brenda të gjithë vetëm Gon Qafa ngeli jashtë me automatik në dorë. Sapo kemi hyrë brenda kemi parë plakën që po dilte nga tualeti. Plakën e mbylli Talo në tualet dhe filloi të shante. …Ata vazhduan kontrollin dhe unë kam ndenjur aty që të mos bërtiste gruaja dhe fëmijët. Me erdhi keq për fëmijët e saj dhe i ledhatova nga faqet. Kur kjo gruaja doli në televizor ka thënë se njëri prej autorëve u soll mirë. Në një kuti kursimesh janë gjetur rreth 3000 Euro dhe jemi larguar. …Më vonë mora vesh se njeri prej çunave që morri pjesë në grabitje kishte marrë dhe unazat e kësaj zonjës…”

Prokuroria në kërkesën e paraqitur arsyeton se: Deklarimet e këtij shtetasi vijnë në harmoni me provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit dhe në këtë mënyrë krijojnë dyshimin e arsyeshëm se në lidhje me këtë episod shtetasit Agron Qafa, Nuredin Dumani, Talo Çela, Gent Sharra dhe një person i cili thirrej “Qime”, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamit Haxhia, e kryer në datën 11.02.2013 në qytetin e Durrësit, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, ‘’Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Shtuar 19.05.2022 21:14