Shkodra, kryeqyteti i vrasjeve për 2022! Historia pas 7 të ekzekutuarve në muajt e fundit

Breshëria e plumbave në një atentat të stilit mafioz mbrëmjen e së dielës, i preu jetën në mes 19-vjeçarit shkodran, Erjon Xhenje.

Faji i vetëm i Erjon Xhenjës ishte ai të qenit kushëriri i parë i disa personave më të shkuar kriminale, e në një vend kur shteti nuk siguron rendin, hakmarrja mplekset me gjakmarrjen, e duke shkelur çdo kod të kanunit, merr edhe jetë të pafajshme.

Të lidhura

None found

Krimi ndodhi në një lokal, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, teksa për ironi të fatit vetë Bujar Bishanaku 3 dekada më parë do të ishte viktimë e tranzicionit të përgjakur që përjetoi Shqipëria, pasi do të ishte një prej 4 të vrarëve të masakrës së 2 prillit në Shkodër.

2022 rezulton një vit kur krimi ka marrë revansh në metropolin e veriut, që për shkak të mungesës së vullnetit të organeve të rendit, më shumë së kurrë i ngjason Palermos së viteve 1970.

Jo më larg se të shtunën dëgjuam kreun e qeverisë, që e cilësoi si të fituar betejën me krimin, por pas çdo deklarate të tillë propagandistike, krimi godet si për të na treguar se kush e ka pushtetin e vërtetë në këtë vend.

Sagën e ngjarjeve kriminale për vitin 2022 në Shqipëri do ta hapte atentati me armë zjarri ndaj 34 vjeçarit Kastriot Piroli, në Shkodër, mbrëmjen e 4 janarit. Piroli mbeti i plagosur rëndë, teksa dyshimet lidhen me një vrasje të kryer në Mal të zi nga Piroli.

Në 13 shkurt të 2022 në Shkodër do të ekzekutohej 48-vjeçari Prek Tonaj.

Në 9 mars të këtij viti, Admir Bajri, 38 vjeç, u qëllua me breshëri plumbash teksa mbeti i plagosur rëndë.

Në 12 prill në një atentat tipik mafioz do të ekzekutohej me breshëri automatiku në Shkodër, Nazmi Bandula, një emër mjaft i njohur për blutë e metropolit verior.

Mbrëmjen e 19 Prillit 2022 në Shkodër do të plagosej shtetasi Edi Reçaj në zonën e Perashit në Shkodër. Misteri mbuloi këtë ngjarje.

Në 3 qershor të 2022 në një atentat mafioz që tronditi Shkodrën do të vritet Naim Bajri dhe i plagosur mbeti shoku i tij, Astrit Zeneli.

Në 14 Qershor 2022 shtetasi Pjerin Bushtulli do të binte pre e një atentati mafioz në Velipojë, ku për pasojë mbeti i plagosur rëndë.

75 vjeçari Lulash Qepuri do të mbetej viktimë e një atentati mafioz pranë banesës së tij në Stom Golem mbrëmjen e 15 qershorit 2022.

Në 23 gusht të këtij viti pas një debati në një lokal në Shelqet, Agron Metushi do të vritet nga Alfond Palushi.

Në datën 2 shtator 2022 do të vritet pranë banesës së tij në Kiras, 57 vjeçari Ismet Çakorja, teksa vetëm 4 ditë më parë përmes një apeli ne media njoftoi se jeta e tij është në rrezik.

Mbrëmjen e 18 shtatorit krimi do shënonte viktimën e radhës, ku plumbat e qitësve profesionistë i morën jetën 19 vjeçarit Erjon Xhenje.

Shumë prej këtyre vrasjeve do të arkivohen si të pazbardhura nga autoritetet edhe pse mbarë Shkodra i di porositësit dhe autorët.

5 efektivë të Policisë së Shkodrës përgjatë këtij viti kanë qenë target i kanosjes nga djegia e pronës deri tek vendosja e tritolit nëpër banesa. Faji i vetëm i tyre ishte pjesëmarrja në operacionet antikanbis në Dukagjin.

Shkodra ndër shekuj i ka mbijetuar shumë pushtuesve, por krimi duke gjetur terren nga indiferenca e strukturave të rendit, kryesisht ato qendrore, po kërkon të nënshtrojë këtë treve fisnike./abcnews.al


Shtuar 19.09.2022 15:54