Shkëlqeu me veshje kombëtare, u zhgënjye Ina Dajçi nga ‘Miss Universe’?

Ina Dajçi e kurorëzuar rreth një viti më parë si më e bukura e Shipërisë, na përfaqësojë në kompeticionin më të madh ndërkombëtar “Miss Universe 2021” i zhvilluar në Eilat të Izraelit. Ajo zbuloi prapaskenat dhe emocionet e garës në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi. Përtej angazhimit për të folur mbi kauzat sociale, ajo shprehu se pamja e jashtme ishte dytësore për të në të gjithë rrugëtimin e saj.

U zhgënjye Ina nga renditja në konkurs? Kur u pyet nga Ermal Peçi nëse ishte e kënaqur thjesht me pjesëmarrjen, ajo tha:

“Bëhet një lobim i fortë nga shtetet por po shpresoja që mos të ishte kjo arsyeja që të bëhej eleminimi i vajzave. Nuk jam nga ato që them se është e rëndësishme të marrësh pjesë sepse nuk kisha humbur ndonjëherë në jetën time. Unë nuk do e ndroja flamurin tim, por është e dukshme renditja…”

Ndër arsyet pse dëshironte të ishte pjesë e 5 finalisteve Ina renditi dëshirën për të dhënë mesazhe të mëdha drejt vajzave dhe grave në mbarë botën. Por Dajçi nuk ishte vetëm në këtë përfaqësim, pasi njëkohësisht me të garoi edhe Tuti Sejdiu, fituesja e kurorës si më e bukura e Kosovës. Si ishte marrëdhënia e vajzave shqiptare kilometra larg vendlindjes?

“Ne ishim shoqe dhome. Tuti është një vajzë e shkëlqyer, shumë e ëmbël. Më ka ndihmuar shumë se kishte një pozitivitet shumë të këndshëm dhe për çdo gjë ishte shumë positive. Thoshte do ja dalim dhe ja kemi kaluar shumë mirë bashkë.” – shprehu “Miss Universe Albania” për Abc News.


Shtuar 15.12.2021 18:34