Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me një nga operacionet më të fundit të autoriteteve greke në Selanik ku bëri të mundur shkatërrimin e një grupi shqiptar të drogës.
Nga ky operacion u zbuluan rreth 585 kg kokainë, sasia më e mëdha e zbuluar në Selanik e cila solli vënien në pranga të 5 shqiptarëve mes tyre edhe një çift bashkëshortësh.
Mes të arrestuarve është edhe një zjarrfikës i Bashkisë Fier, 50-vjeçari Arjan Xhafaj ndërsa të arrestuarit e tjerë janë nipa të tij.
Së fundmi, është zbuluar se një prej nipave të Xhafajt, ka vizituar Madridin, Guadalajarën, Londrën dhe Australinë, ndërsa në disa foto ai shihet duke pozuar para laboratorëve të organizuar të kultivimit të fidanëve të kanabisit në Spanjë.
Xhafaj ka pohuar se është përfshirë në këtë çështje pas një takimi që ka pasur me një të panjohur në Shqipëri kundrejt një pagese prej 100 mijë eurosh për të organizuar marrjen dhe shpërndarjen e 500 kilogramëve kokainë.
Më tej zjarrfikësi ka shtuar se për lëvizjet e tij ka marrë udhëzime nëpërmjet internetit nga anëtarë të tjerë të organizatës.
Ai pohoi se nuk i njihte personat që do të merrnin drogën, ndërsa duke iu referuar personit që i jepte porosi, theksoi se beson se ndodhet në një vend të huaj dhe lëviz kryesisht mes Turqisë dhe Kosovës.
Nga kontrollet e kryera nga autoritetet si në banesën në Neous Epivates, ashtu edhe në dy makinat e grupit, u gjetën 500 pako me gjithsej 585 kilogramë e 208 gramë kokainë, 7440 euro të lidhura me trafikun e drogës, 7 telefona që përdoreshin për të komunikuar me njëri-tjetrin, një detektor metali dhe sende të tjera.
Nipi i parë pohoi se përfshirja e tij në “punë” ishte e kufizuar në marrjen e furgonit me të cilin transportohej droga drejt banesës në Neous Epivates dhe duke ndihmuar në shkarkimin dhe numërimin e drogës.
Në veçanti, ai raportoi se një person i panjohur la një furgon me drogë jashtë një supermarketi në Neous Epivates. E ka marrë, e ka çuar në banesë, ku janë shkarkuar pakot dhe më pas e ka lënë në një pikë në Pirea, ku e ka marrë një person i panjohur.
Më pas ai u kthye në banesë dhe filloi të ruante 23 pako me kokainë në pritje të porosive të tjera. Së fundmi, duke iu referuar udhëtimeve që kishte bërë jashtë vendit, ai vuri në dukje se edhe pse i papunë, udhëtonte për t’u çlodhur ose për të takuar të afërmit e tij.
Ndërsa nipi i dytë ka pohuar se fillimisht ka mbërritur në Greqi nëpërmjet Kakavijës dhe se ka qëndruar në vend për 12 ditë. Më pas, siç tha ai, është kthyer në Shqipëri ku një person nga ambienti i tij e ka bindur që të marrë pjesë në “punë” për një tarifë prej 25 mijë eurosh. Më 30 gusht, ai u rikthye në territorin grek së bashku me të afërmit e tij për t’u përgatitur për të marrë drogën.
Roli i tij ishte lokalizimi i shtëpive-magazinë si dhe transportimi i disa sasive në këto vende. I pyetur për një fotografi në të cilën duket se pozon me dajën e tij përballë një qese të mbushur me kartëmonedha, i arrestuari ka deklaruar se bëhet fjalë për një fotografi të realizuar brenda shtëpisë në Selanik dhe se shuma e parave e paraqitur shkon në 290 mijë euro (ndoshta është pjesë e parave të paguara nga anëtarët për shitësit e kokainës që ata morën).
Së fundmi, në lidhje me fotot që e shfaqin atë përpara një laboratori plotësisht të organizuar të kanabisit hidroponik në Guadalajara të Spanjës, i pandehuri deklaroi se në atë kohë punonte për një organizatë tjetër kriminale.
Nga kontrollet e kryera nga autoritetet si në banesën në Neous Epivates, ashtu edhe në dy makinat e grupit, u gjetën 500 pako me gjithsej 585 kilogramë e 208 gramë kokainë, 7440 euro të lidhura me trafikun e drogës, 7 telefona që përdoreshin për të komunikuar me njëri-tjetrin, një detektor metali dhe sende të tjera.
Sa i përket detektorit të metaleve, anëtarët e grupit, të pyetur për të, thanë se e kanë përdorur për të kontrolluar paketat me kokainë që kanë marrë, për pajisje GPS, pasi sipas tyre janë paralajmëruar nga anëtarë të tjerë të organizatës në Shqipëri se ato do të ekzistojnë, pasi zakonisht vendosen nga transportuesit e drogës nga Amerika Latine.
Vlen të theksohet se, sipas vlerësimeve të autoriteteve, nga trafikimi i sasisë së drogës në fjalë, organizata do të realizonte fitime që i afroheshin 11.704.160 eurove.
Avokati i tyre Sakis Kehagioglou, duke folur për “Protothema”, tha se trajtimi i të akuzuarve në masë sigurie ishte në këtë fazë i parashikueshëm dhe i pritshëm.
“Megjithatë, tashmë e kam theksuar se sekuestrimi i kësaj shume të konsiderueshme dhe arrestimet e mëpasshme duhet të shoqërohen me individualizimin e rolit të secilit prej të arrestuarve dhe ngarkimin e drejtë të përgjegjësisë secilit sipas veprimeve dhe rolit të tij. Qasja “të gjithë për të gjithë” në fund dëmton idenë e Drejtësisë. Besoj dhe shpresoj që rrjedha e marrjes në pyetje dhe mbi të gjitha gjykimi i çështjes do të justifikojë vlerësimin tim”, vuri në dukje ai.
Ngjarja:
Policia greke në bashkëpunim me DEA Amerikane sekuestroi 585 kg kokainë në 28 shtator në Selanik dhe vuri në pranga 5 shqiptarë, katër prej të cilëve me lidhje familjare me njëri-tjetrin. Kreu i grupit, i arrestuar tashmë, është Arjan Xhafaj, 50 vjeç nga Cakrani i Fierit dhe bashkë me të është arrestuar edhe bashkëshortja, Lutmira Xhafaj 42 vjeç, pronare e një bar-kafe në Cakran.
Operacioni është zhvilluar rreth orës 17.40, kur policia greke fillimisht ka ndaluar në Selanik një automjet i cili rezultonte i marrë me qira. Drejtuesi i mjetit ishte 21 vjeçari nga Cakrani i Fierit, Klevis Muskaj. Në mjetin e tij policia greke sekuestroi 239 pako me 280 kg 758 gram kokainë. 10 minuta më pas, është tentuar të ndalohet një tjetër mjet në zonën e “Neous Epibates”.
Drejtuesi i mjetit, në tentativë për t’u larguar, përplasi një mjet policia dhe më pas u përplas me rrethimin e një shkolle. Ai u identifikua si Avelino Feimi, 33 vjeç, nga Vlora. Dy drejtuesit e mjeteve, rezulton nipat e Arjan Xhafajt. Policia greke vijoi me kontrollin në banesën e Xhafajt, ku u sekuestruan 23 pako me 26 kg 701 gram kokainë, 1 dedektor metalesh, 12 çanta IKEA, 1 prerës metalik, 1 pako doreza njëpërdorimshe, 1 palë gërshërë profesionale.
Në banesë veç tij dhe bashkëshortes, u gjet dhe u arrestua edhe Ilirian Baraj, 35 vjeç nga Fieri, me shtetësi greke. Gjatë kontrollit trupor të të arrestuarve, u gjetën dhe sekuestruan 7440 euro, 7 celularë, 4 karta bankare dhe shënime dore.