Shkarkimi i Metës, Spiropali: Do bëjmë çdo gjë që kemi në dorë!

Për qeverinë, pretendimet e Lulzim Bashës për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 25 prillit janë një alibi që vetë kreu i PD po e krijon. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali thotë se problemi i Bashës nuk është 25 prilli, por 20 korriku që ka lidhje me zgjedhjet brenda Partisë Demokratike.

Në një intervistë për News24, Spiropali u shpreh se vëmendja e mazhorancës nuk do të jetë tek humbësi, por te punët dhe çështjet urgjente si vaksinimi dhe rindërtimi.

“Nuk e di si Lulzim Basha nuk mërzitet duke përsëritur të njëjtat gjëra. Nuk po ndryshon as ritmin, as tekstin. Ndrysho regjistër, kaq mund ti them Bashës për atë që po bën. Problemi i tij nuk është 25 prilli, por 20 korriku, zgjedhjet brenda PD. Po përpiqet të krijojë një alibi. Ky është një problem i PD dhe nuk na takon ne të japim mend. Ne na takon të merremi me këtë fitoren e tretë dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme që shqiptarët kanë vënë mbi ne. Një besim që duhet të marrë si përgjigje punën.  Fituesi duhet të merret me punë, nuk do merremi me humbësin dhe me betejën e vjetër politike. Në këtë lojë ku të gjithë dalin të përbaltur ne nuk do hyjmë më. Ne do merremi me çështjet urgjente si vaksinimi dhe rindërtimi.

BASHKËPUNIMI

Sa i takon ftesës për bashkëpunim që Ramai ka bërë Bashës, Spiropali tha: “Gjëja më normale në botë që çdo opozitë dhe çdo shumicë në një vend të qytetëruar mund të bëjë, t’i jepet dora, të shohim interesat e Shqipërisë, të mos nxijmë realitetet në gjuhë të huaja, të mos shkatërrojmë institucionet duke i braktisur, por duke bërë debat konstruktiv. I kemi lënë një fletë të bardhë përpara dhe na thoni të gjitha nivelet e bashkëpunimit që ky konsensus të kthehet në darkuesi në këshill apo në komision, që luftën politike e kanë parë si pengesë. Nuk kemi komplekse në këtë pikë.”

SHKARKIMI I PRESIDENTIT

Për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, Spiropali u shpreh se kjo nuk është vetëm në dorën e qeverisë, por do të bëjnë çfarë kanë në dorë që kjo të ndodhë.

“Ilir Meta është i hequr, Ilir Meta e ka përjashtuar veten nga të qenit President me sjelljen e tij groteske. Komisioni i Posaçëm hetimor do bëjë detyrën. Do sjellë një raport dhe ne e kemi deklaruar votën. Nuk është plotësisht në dorën tonë shkarkimi i Metës, por ne do bëjmë çka kemi në dorë që ligjshmëria të kthehet”, deklaroi ndër të tjera Spiropali./panorama

 


Shtuar 15.05.2021 18:41