“Me votim e shkarkuan. Arben Imami dhe Azemi ikën, u larguan, thanë kjo nuk është PD që kemi krijuar ne, nuk e thanë me gojë por lanë ta kuptonin që nuk do ta pranonin. Aty pastaj ra një heshtje varri…”
Analisti dhe publicisti Preç Zogaj ka bërë mbrëmjen e djeshëm një rrëfim të rrallë për jetën e tij dhe si iu bashkua Partisë Demokratike.
Zogaj tregoi edhe sesi Sali Berisha u zgjodh në krye të kësaj partie, pasi u shkarkua nga drejtimi Azem Hajdari.
“Berisha është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike më 14 Shkurt në një mbledhje të Kryesisë së sapozgjedhur. U bë një mocion në Komitetin Nismëtar për shkarkimin e Azemit. Disa nga anëtarët kishin vërejtje për mënyrën se si e drejtonte për disa gjëra.
Me votim e shkarkuan. Arben Imami dhe Azemi ikën, u larguan, thanë kjo nuk është PD që kemi krijuar ne, nuk e thanë me gojë por lanë ta kuptonin që nuk do ta pranonin. Aty pastaj ra një heshtje varri. Pak a shumë po pyesnim pa folur që çfarë bëmë kështu.
Unë e kam argumentuar që kjo gjë nuk duhej të ndodhte. Unë propozova që i kemi krijuar degët, ne të bëjmë aktiv dhe të kalojmë te komiteti drejtues. U bë një mbledhje që zgjodhi kryesinë me votë. Berisha doli se mori më shumë vota.
Njerëzit në përgjithësi në Shqipëri e njihnin atë si lider. Edhe për shkak të një protagonizmi më të madh që kishte patur gjatë Dhjetorit. Unë kam qenë determiues në zgjedhjen e Berishës në 14 Shkurt bashkë me Neritan Cekën. Njerëzit ishin grupuar sipas njohjeve të mëparshme. Unë me Berishën kam pasur njohje përpara ’90, ai ishte kardiolog. Nuk fitoi 50+1 të votave.
Kishte njerëz që më kritikuan për qëndrimin që mbajta, sepse ata mendonin që nuk ishte mirë, mendonin që i kisha miq. Ata parashikuan që ai që unë e quajta drejtim kolegjial nuk do funksiononte. Përgjatë vitit deri sa erdhi kongresi i Tetorit ne u mblodhëm rreth Neritan Cekës dhe kemi avancuar dhe kemi dalë në kongres me Neritan Cekën”, u shpreh Preç Zogaj. /opinion.al