Shitje votash edhe në Korçë?! PD bllokon tre makina, kryetarin e PS dhe zyrtarin e tatimeve

Vazhdon aksioni i PD për të kapur mbështetësit e PS duke blerë vota, dhe vijojnë edhe skandalet e punonjësve te administratës që kapen me sasi parash, lista dhe kartave të ID të qytetarëve.

Tre makina janë ndaluar në mesnatë nga struktura e mbrojtjes së votës së PD në fshatin Podgorie, Korçë, me rreth 7 punonjës njësie brenda.

Sipas PD, dy prej makinave tip “Mercedes” dhe “Volkswagen”, të cilat drejtoheshin nga Soni Laraku dhe Andi Zaqellari u larguan me forcë, ndërsa makina e tretë e drejtuar nga administratori i Njësisë Administrative Vreshtas, Cezar Bezati dhe shoqërues Gerti Tabaku u bllokua.

Në terren së bashku me ta ishte dhe kryetari i PS të Podgorie dhe njëkohësisht zyrtar i tatimeve Korçë, Izmi Çoçka. Pasi u njoftua Policia, mbërritën forcat e rendit të cilët ushtruan presion për lirimin e rrugës.

Në deklaratën e PD thuhet se përfaqësuesit demokratë insistuan që makina të kontrollohej dhe kjo u arrit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nga kontrolli rezultoi se në makinën e administratorit u gjetën:

-Lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie,

-Listë e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist administratorin Çezar Bezati,

-Listë e shkruar me dorë me emra banorësh të këtij fshati.

PD pretendon se policia refuzon ta bëjë publike dhe ka shoqëruar makinën e administratorit Çezar Bezati dhe shoqëruesin e tij, Gerti Tabaku, të cilët janë liruar.

Ndërsa janë shoqëruar për bllokim rruge edhe tre simpatizantë të PD, të cilët janë identifikuar si Ahmet Goroveci, Endrison Dushku dhe Fatjon Dushku. /albeu.com/

Shtuar 24.04.2021 10:18