Shiste naftë kontrabandë në oborrin e shtëpisë, arrestohet një person në Tiranë

Policia ka vënë në pranga shtetasin Xh. Ll., banues në Kashar pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u konstatua një ambient i përshtatur për vendosjen e një pompe karburanti dhe dy depozitave metalike, të cilat ishin të mbushura me 2500 litra naftë, që dyshohet se është kontrabandë, duke shmangur detyrimet doganore.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Diesel”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.

Sekuestrohen 2500 litra naftë, një pompë karburanti dhe dy depozita.

Vihet në pranga 1 shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas ushtronte aktivitet të paligjshëm në fushën e tregtimit të hidrokarbureve, në banesën e tij në Kashar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Diesel”, në kuadër të të cilit u në arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– Xh. Ll., banues në Kashar.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Xh. Ll. ushtronte aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të hidrokarbureve. Gjatë kontrollit në banesën e tij u konstatua një ambient i përshtatur për vendosjen e një pompe karburanti dhe dy depozitave metalike, të cilat ishin të mbushura me 2500 litra naftë, që dyshohet se është kontrabandë, duke shmangur detyrimet doganore.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com


Shtuar 24.02.2022 15:29