Policia e Lezhës, ka vënë në pranga shtetasin Hamza Celami, i cili është administrator në një subjekt privat në Lezhë.
Mësohet se 60-vjeçari shiste pije alkoolike, pas asnjë dokumentacion shoqërues për origjinën apo vlerën e mallit.
Ndërkohë, janë sekuestruar më shumë se 300 shishe me pije të ndryshme alkoolike në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i Policisë:
“DVP Lezhë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, operacioni policor i koduar “Ethanol”.
Evidentohet një subjekt privat për magazinimin dhe shitjen me shumicë të pijeve të ndryshme alkoolike, në kundërshtim me ligjin.
Procedohet penalisht administratori i këtij subjekti, i cili fshihte të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari.
Sekuestrohen qindra shishe me pije të ndryshme alkoolike, pa asnjë dokumentacion shoqërues për origjinën apo vlerën e mallit.
Në vijim të kontrolleve të shtuara në subjekte të ndryshme private, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ethanol”.
Gjatë operacionit, në një subjekt privat në qytetin e Lezhës, janë gjetur më shumë se 300 shishe me pije të ndryshme alkoolike, pa dokumentacion shoqërues për origjinën apo vlerën e tyre. Shishet me pije alkoolike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për administratorin e këtij subjekti, shtetasin 60 vjeç, Hamza Celami banues në Lezhë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.