Shisnin produkte të skadura duke i falsifikuar etiketën, arrestohen dy shtetas të huaj me banim në Tiranë (FOTO LAJM)

Policia e Shtetit ka goditur një rast të mallrava të skaduara duke arrestuar 2 shtetas jordanez me banim në Tiranë.

Nga operacioni i koduar “Skadenca”, dy shtetasit e lindur në Jordani me banim në Tiranë kishin përshtatur një ambjet me qera teksa iu fshinin datat e skadencave produkteve të  skaduara, duke përdorur lëndë kimike, iu vendosnin atyre data të reja skadence, për të shtyrë afatin e përdorimit deri në dy vjet.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë

Finalizohet pas një hetimi disajavor, operacioni policor i koduar “Skadenca”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit dhe Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit dhe Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi disajavor, zhvilluan dhe finalizuan operacion policor të koduar “Skadenca” si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit e huaj:

Y. R., 57 vjeç dhe A. R., 28 vjeç, lindur në Jordani dhe banues në Tiranë.

Këta shtetas kishin hapur në një magazinë të marrë me qira, një subjekt me anë të të cilit tregtonin në sasi të mëdha produkte të ndryshme konsumi, të cilat kishin tejkaluar afatin e skadencës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi iu fshinin datat e skadencave produkteve të skaduara, duke përdorur lëndë kimike, iu vendosnin atyre data të reja skadence, për të shtyrë afatin e përdorimit deri në dy vjet.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një vulë që përdorej për falsifikimin e datave të skadencës, 3 shishe me lëndë kimike të cilat përdoreshin për fshirjen e datave të prodhimit dhe skadencës, si dhe produkte të ndryshme të skaduara dhe me datë prodhimi të falsifikuar.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrim me produktet ushqimore” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe i formularëve”.


Shtuar 21.05.2021 13:53