Katër persona kanë rënë në pranga në kuadër të operacionit “Tempulli”.
Ata shisnin lëndë narkotike në Kavajë, në zona me frekuentim të lartë nga të rinjtë.
Të arrestuarit janë shtetasit, Besnik Dulla, Xhevahir Hoti, Zeqir Krasnaj dhe Flori Gjuzi.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen 2 vazo dhe 2 qese me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 655 gramë, dhe një elektroshok.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Durrës dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pasi kanë siguruar informacion nga inteligjenca policore, për 2 raste të shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, në lokale, në afërsi të shkollave, dhe në lagje të ndryshme të Kavajës, organizuan punën në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, për arrestimin e shtetasve përgjegjës.
Si rezultat, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
-B. D., 31 vjeç, Xh. H., 33 vjeç dhe Z. K., 23 vjeç;
-F. Gj., 21 vjeç, të gjithë banues në Kavajë.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonin në Durrës, shtetasit B. D., Xh. H. dhe Z. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 vazo me lëndë narkotike cannabis sativa (në formë boçeje) dhe 1 elektroshok, ndërsa në rastin e dytë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit F. Gj., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 qese të mbushura me lëndë narkotike cannabis sativa.
Në total, për të dyja rastet u sekuestruan rreth 655 gramë lëndë narkotike cannabis sativa që posedohej me qëllim shitjen në zona me frekuentim të lartë nga të rinjtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.