Shqipëria po përjeton një tkurrje të prodhimit në bujqësi, blegtori si edhe sëfundmi në peshkim gjatë viteve të fundit.
INSTAT ka publikuar të dhënat për peshkimin gjatë vitit 2022, i cili vjen më rënie krahasuar me vitin e mëparshëm pavarësisht se 2021 ishte një vit pandemie.
Nga 18 500 ton peshk të kapur gjatë 2021, vitin e kaluar në Shqipëri është kapur 17 800 ton, ndërsa vërehet qartë rënie e peshës së peshkut të detit në konsumohet në vendin tonë në raport me peshkun e rritur nëpër rezervate, i cili po njeh një përdorim më të gjerë.
Nga viti në vit, në Shqipëri bie konsumi i peshkut të detit dhe rritet ai i rezervatit duke shpalosur kështu problematikat me flotat e peshkimit, çmimin e karburantit për to si edhe eksportin e këtij peshku dhe furnizimin e tregut me peshk rezervati.
Ky i fundit zë më shumë se 45% të sasisë së peshkut që konsumohet në vend, ndërsa pjesa tjetër e nevojës plotësohet me peshk liqenesh dhe deti.
Blegtoria, bie ndjeshëm numri i lopëve, deleve, dhive..mbahen derrat dhe gomerët
Më herët INSTAT publikoi të dhënat në lidhje me blegtorinë ku gjatë 2022 vërehej një rënie e ndjeshme e numrit të lopëve, deleve apo dhive.
Në fund të vitit 2020 Shqipëria numëronte 363 mijë krerë gjedhë, por viti 2022 është mbyllur me 298 mijë ku më të goditurat janë lopët, numri i të cilave është ulur ndjeshëm duke zbritur në 261 mijë në fund të vitit 2022.
Për dramatike paraqitet situata sa i përket të leshtave, ku viti 2020 u mbyll me 1 558 000 të tilla, ndërsa në fund të vitit 2022 numri ka pësuar një rënie dramatike duke zbritur në 1 372 000.
Në rënie të lirë, por me ritme disi më të përmbajtura janë të dhirtat, të cilat kanë pësuar një tkurrje me -50 mijë nga 2020 në 2022.
Shqipëria ndërkohë numëron 1.1 milionë shpendë më pak në fund të 2022 krahasuar me vitin 2020, ndërsa për çudi ka filluar edhe rënia e numrit të derrave, i cili më parë ka qenë në një ritëm rritës. Megjithatë, rënia te derrat është më e vogël krahasuar me lopët, delet dhe dhitë.
Situata te njëdhundrakët paraqitet pak më e stabilizuar, ku rënia po ndodh me ritëm më të ulët krahasuar me kafshët e tjera.
Prodhimet bujqësore
Rënia e numrit të kafshëve shtëpiake ka tkurrur ndjeshëm edhe prodhimin blegtoral gjatë tre viteve të fundit. Nga rreth 1 milionë don qumësht që prodhohej në 2020, i cili po ashtu paraqitet me rënie krahasuar me vitet e mëparshme, në fund të vitit 2022 Shqipëria prodhoi 970 mijë ton qumësht; nga 150 mijë ton mish në 2020 në fund të vitit 2022 është prodhuar rreth 140 mijë ton dhe nga 861 milionë kokrra vezë në 2020, në fund të vitit 2022 janë prodhuar 766 milionë kokrra.
Goditja duket mjaft e rëndë në blegtori, e cila me gjasë do të vijojë të pësojë goditje për shkak të mungesës së politikave efektive të subvencionit si edhe largimit masiv të qytetarëve duke shitur ose therur kafshët.
Ndërkohë, tregu është mbushur me prodhime nga jashtë, dhe sidomos qumësht pluhur apo mish nga Brazili, të cilat na mbushin tavolinat çdo vakt.
Ndërkohë, vërehet një rritje e ndjeshme e numrit të qenve si nëpër rrugë ashtu edhe në shtëpitë e qytetarëve si kafshë shtëpiake. /albeu.com