Punëtori i karburantit pranë së cilit ndodhi ngjarja e rëndë në Manzë, ku dy të rinj u vranë me armë zjarri pas një debati për motive banale, është shprehur për mediat se Flori Paluçi dhe Aranit Kurtin ishin djem të sjellshëm.
Për konfliktin që nisi për një kafe dhe përfundoi me dy viktima, punëtori i karburantit thotë se nuk ka dijeni pasi në mëngjes kur erdhi në vendin e punës, e ka parë karburantin dhe ambientet e kafenes në të, të rrethuar me shiritat e policisë.
“Unë erdha në mëngjes gjeta karburantin e rrethuar me: “Ndalohet skenë krimi”. Aq di, më shumë s’di gjë. Pyeta çfarë ka ndodh.
Ka ndodh një ngjarje tha, mos u afro dhe kam ndejt atje derisa ka ik policia. Jo nuk i njoh, njëri nga Manza po nuk rrinë gjatë këtu. Ishin çuna të sjellshëm. Ashtu siç thonë portalet aq di dhe unë”, tha punonjësi i karburantit për mediat.
I pyetur nëse policia ka marrë kamerat e sigurisë dhe nëse ato janë funksionale, ai tha: “Nuk e di nuk kam informacion”.
Banorët e Manzës u zgjuan mëngjesin e të mërkurës me lajmin se dy të rinj kishin humbur jetën pas një konflikti banal gjatë orëve të para të mëngjesit.
“Na ka tronditur rëndë, por tani ndodhi, çfarë të bësh”, tregon një i moshuar për mediat. Ai thotë se viktima Aranit Kurti ishte njeri shumë i mirë. “E njihja, e kam pasur kushëri madje… Ishte djalë shumë i mirë”, shprehet i moshuari.
Konflikti ka nisur për një kafe dhe gjatë debatit Flori Paluçi, ka vrarë me armë zjarri Aranit Kurtin. Pas këtij veprimi 21-vjeçari Daniel Pepa, ka vrarë me armë Flori Paluçin.
Kushëriri i Daniel Pepës, është kamerier në lokalin ku ka ndodhur ngjarja.
Raportohet se fillimisht në lokal është futur Flori Paluçi dhe ka kërkuar kafe, ekspresi ka qenë i fikur dhe ai është konfliktuar me kamerierin Alteo Pepa, se pse nuk e ndizte ekspresin për t’i bërë kafe.
Ndërkohë ka ndërhyrë Aranit Kurti, shoku i Daniel Pepës, duke qenë se ishte kushëriri i shokut.
Aty pastaj Flori Paluçi, ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas ka ardhur Daniel Pepa dhe ka vrarë Flori Paluçin