Shenjat që tregojnë se po konsumoni shumë kripë

Kur konsumohet në sasi të vogla, natriumi ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut, transportin dhe sekretimin e CO2, transmetimin e sinjalit elektrokimik për funksionin nervor dhe tkurrjen e muskujve.

“Mungesa e kripës mund të çojë në ngërçe të muskujve, të përziera, lodhje dhe marramendje”, thotë Pippa Hill, nutricioniste dhe themeluese e The Weight Loss Guru.

Por nëse konsumoni më shumë se 6 gramë në ditë, një sasi e barabartë me rreth një lugë çaji, mund të dëmtoni shëndetin tuaj.

Marrja e lartë e kripës prish ekuilibrin natyral të natriumit të trupit dhe çon në presion të lartë të gjakut, duke rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.

Nëse nuk i shikoni me kujdes etiketat e ushqimeve, nuk mund ta dini se sa kripë po hani çdo ditë.

Ushqimet me përmbajtje të lartë kripe përfshijnë ushqimet e konservuara, arrat e kripura, mishrat e ftohtë, supat e gatshme etj.

Shikoni cilat simptoma lidhen me konsumimin e tepërt të kripës:

Dhimbje koke

Dehidratimi i shkaktuar nga marrja e tepërt e kripës mund të çojë në dhimbje koke të forta.

Këto dhimbje koke priren të jenë më të dhimbshme se dhimbjet e zakonshme të kokës dhe ndodhin brenda një ose dy ore pasi të keni ngrënë, pasi nivelet e natriumit rriten në trup.

Ato mund të shfaqen më shpejt nëse keni presion të lartë të gjakut ose vuani nga dhimbje koke kronike në përgjithësi, por shpesh largohen pasi hidratoni trupin tuaj.

Këmbët dhe duart e fryra

E njohur edhe si edemë, ënjtja e gishtave, kyçeve ose këmbëve, mund të jetë një reagim i vonuar ndaj niveleve të larta të natriumit. Kur hamë shumë kripë, trupi ruan natriumin shtesë, duke rritur lëngun jashtë qelizave.

Kjo e rëndon funksionin e veshkave dhe rrit presionin e gjakut. Ënjtja zakonisht ndodh për shkak të qëndrimit të zgjatur ulur ose udhëtimeve të gjata.

Nëse vëreni ënjtje të shpeshta, duhet të konsultoheni me mjekun, pasi mund të jetë shenjë e një problemi serioz shëndetësor.

Presioni i lartë i gjakut

Kripa është shkaktari kryesor i presionit të lartë të gjakut. Brenda vetëm 30 minutave nga konsumimi i tepërt i kripës, enët e gjakut preken.

Presioni i lartë i gjakut mund të rrisë rrezikun e problemeve serioze shëndetësore, si sulmet në zemër dhe goditjet në tru.

Nëse pas një diete të pasur me kripëra vëreni shikim të turbullt, dhimbje gjoksi si shtrëngim, palpitacione, gulçim ose gjakderdhje të papritur nga hundët, presioni i gjakut mund të jetë i lartë.

Hipertensioni mund të mos ketë simptoma dhe mënyra e vetme për të njohur presionin tuaj të gjakut është matja e tij me një monitor të presionit të gjakut.

Urinim i shpeshtë

Etja e tepërt është një reagim i zakonshëm ndaj ngrënies së ushqimeve të kripura dhe çon në rritjen e konsumit të lëngjeve, duke shkaktuar urinim të shpeshtë.

Nëpërmjet sinjalit se duhet të pini shumë ujë, organizmi synon të eliminojë kripën e tepërt.

Megjithëse pirja e më shumë lëngjeve si një domosdoshmëri në rritjen e niveleve të natriumit është një nga arsyet kryesore për prodhimin e urinës, mund të jetë gjithashtu një simptomë e kushteve të tjera si poliuria, ndaj është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek.


Shtuar 17.08.2023 10:51

Tags: