Shënimi i 80 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Rama dhe Begaj homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Autoritetet më të larta të vendit bënë sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilluan sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.

Duke u përulur me respekt para kujtimit të tyre, ata vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Shqiptarët kremtojnë sot 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.

Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.


Shtuar 29.11.2024 10:47