Nga AlbEu.com
Prej pasdites së sotme në media ka raportime për një largim të Ardi Veliut nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
VoxNews raporton për një shkarkim të tij nga Taulant Balla, ndërkohë që VizionPlus bën me dije se bëhet fjalë për një dorëheqje të Veliut nga detyra.
Ngjarja është bërë shkak për spekulime në rrafshin mediatik më shumë për shkakun e largimit të Veliut, në rast së bëhet fjalë për diçka të tillë, se sa vetë heqja apo dorëheqja e kreut te AMP-së.
Kjo, pasi duket se brenda maxhorancës jane duke u përballur dy grupe, “luftë” e cila doli në pah që prej akuzave për vjedhjen e të dhënave TIMS, e cila bëri që Veliu të niste një hetim në Policinë e Shtetit.
Në fakt, edhe skandali për të dhënat TIMS duket se doli pas një çarjeje të fortë mes dy fraksioneve në kupolën e Policisë së Shtetit, ku njëra është “dora” e një ministri të rendësishëm të qeverisë dhe tjetra, “krahu” i një kryebashkiaku, “betejë” e cila duket që ka zbritur nga qeveria dhe nivelet e larta, deri në Policinë e Shtetit.
Rrjedhimisht, edhe heqja apo dorëheqja e Veliut nga AMP vjen në këtë kuadër, po ashtu edhe e gjithë beteja në dukje parimore në kupolën e Policisë së Shtetit.
Deri më tani, Veliu nuk ka reaguar në lidhje me spekulimet në media, por “fati” i tij dhe pasqyrimi i kësaj ngjarjeje përflitet si ngjarja që do të tregojë se kush është “dyshi” në Shqipëri..pas Ramës sigurisht. /albeu.com