Shembja e urës në Baltimore, gjenden dy trupa të pajetë

Trupat e dy personave të pajetë janë nxjerrë nga një kamion i kuq, i cili ra në ujë ku u shemb ura e Baltimores në SHBA. Tetë punëtorë ndërtimi ishin në urë, kur një anije mallrash u godit me të dhe për pasojë u shemb një pjesë e saj.

Dy nga punëtorët u shpëtuan atë ditë, ndërsa kërkimi vazhdon për katër të tjerët, të cilët supozohen të vdekur.

Ekipet e kërkimit po punojnë për të adresuar materialet e rrezikshme dhe hetuesit e aksidenteve janë në vendngjarje.

Policia thotë se zhytësit kanë vështirësi të lundrojnë të sigurtë në ujë, për shkak të betonit dhe mbetjeve të tjera në lumë.

Sipas autoriteteve, viktimat po riparonin rrugën e urës 2.6 kilometra të gjatë, kur pjesë të mëdha të saj u shembën në lumin Patapsco rreth orës 01:30 të martën.

Autoritetet kishin paralajmëruar se nuk besonin më se “do t’i gjenin të gjallë këta njerëz”.


Shtuar 28.03.2024 07:44