Aleanca për mbrojtjen e teatrit depozitoi këtë të premte një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për përshpejtimin e vendimit mbi padinë e Presidentit Ilir Meta lidhur me çështjen e teatrit.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e Aleancës, Adriana Kalaja deklaron se duhet që Kushtetuesja të japë sa më shpejtë një vendim pasi sipas saj qeveria, përmes akteve normative synon që të “minojë” këtë proces.
Një thirrje, Kalaja e ka dhe për ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim duke i kërkuar që të dalë dhe të prononcohet lidhur me këtë çështje dhe të bëjë presion tek drejtësia shqiptare që të japin një vendim sa më të drejtë.
“Ne duke ditur situatën në Gjykatën Kushtetuese duke marrë informacionin që kjo gjykatë po debaton për vendimin që do thotë për kërkesat e Presidentit. Ne i kërkojmë që të përshpejtojë në dhënien e vendimit se ky akt normativ do të prodhojë akte të tjera ligjore që kanë karakter të dëmshëm. Do doja që të sqaroja se qasja e këtyre institucioneve të cilat në mënyrë shkelin ligjin, ka ardhur edhe nga neglizhenca e Gjykatës Kushtetuese. Ne që në fillim, Presidenti kërkuam marrjen e masave. Vendim nuk u rrëzua por u vendos që të shprehet me vendimin përfundimtar. Unë do bëja një kërkesë ndaj ambasadorëve, sidomos Yuri Kim besoj se është në dijeni të plotë për çdo problem që ka drejtësia shqiptare, ajo duhet të dalë dhe të prononcohet për shembjen e teatrit. Të bëjë një presion institucioneve përgjegjëse. Ne respektojmë ligjin dhe gjykatat, duhet të presim vendimet e gjykatave. Është injorim që të mospresim vendimin e Gjykatës Kushtetuese” – tha Adriana Kalaja.
Lidhur me aktin normativ të miratuar ditën e djeshme nga Parlamenti ku në rishikimin e buxhetit të shtetit, janë alokuar 900 mijë në Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit, Kalaja deklaroi se është një formë presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Është injorim ose presion që institucionet përgjegjëse, që janë pjesë e procesit, është presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Fakti që akti normativ ka hyrë në fuqi më datë 22 tregon se nuk ka asnjë lloj problemi. Mediat pasqyrojnë lajmet publike dhe jo ato që duan ambasadorët” – tha Kalaja.
Ndërkohë aktori Edmond Budina e cilësoi aktin normati si një pështymë në fytyrën e drejtësisë shqiptare por bëri me dije se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk do tërhiqet nga beteja e saj.
“Këtë akt normativ të Këshillit të Ministrave e quaj pështymë në fytyrë të drejtësisë shqiptare. Pa dhënë një vendim Gjykata Kushtetuese ata nxjerrin akte të tilla. Ne do vazhdojmë luftën tonë. Askush të mos mendojë se ne do tërhiqemi. Ne do shkojmë në instance ndërkombëtare nëse nuk merret një vendim i drejtë. Teatri Kombëtar është një aferë e madhe korruptive që e kemi denoncuar dhe do e denoncojmë” – tha Budina.