Edhe pse ka kaluar vetëm një muaj nga shembja e aksit rrugor në Librazhd, situata në terren mbetet po aq alarmante, në mos më keq.
Në vend që të kishte reflektim dhe masa konkrete, përgjatë Lumi Shkumbin vazhdon pa ndërprerje marrja e inerteve, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Pamjet tregojnë qartë se erozioni nuk është ndalur. Përkundrazi, gërryerja e lumit po avancon çdo ditë, duke marrë me vete tokë dhe duke thelluar dëmet që dikur çuan në shembjen e rrugës.
Ajo që ishte një alarm i fortë për institucionet, sot duket se është kthyer në një ngjarje të harruar, ndërsa ndërhyrjet në lum vijojnë në mënyrë të papenguar.
Banorët e zonës shprehen të indinjuar: si është e mundur që pas një shembjeje të tillë, askush të mos vendosë kufij për aktivitetin në lum? Në vend që të kishte kontroll dhe mbrojtje të territorit, realiteti tregon të kundërtën – një shfrytëzim të vazhdueshëm që rrezikon të sjellë pasoja të tjera.
Rruga është shembur, por duket se mësimi nuk është nxjerrë. Për sa kohë që në Shkumbin vazhdohet të merren inerte dhe erozioni lihet i lirë, rreziku nuk ka kaluar, ai thjesht po përgatitet të godasë sërish.
