Shembet sërish ura në fshatin Vane në Sarandë, 500 banorë mbetet të “izoluar”

Shembet sërish ura që lidh fshatin Vane me rrugën nacionale Delvinë-Sarandë. Rreth 500 banorë janë bllokuar dhe po rrezikojnë jetën duke kaluar më këmbë përmes lumit, i cili aktualisht prej thatësirës nuk ka prurje.

Banorët kërkojnë riparimin sa më shpejt të saj pasi në mot me shi do ta kenë të pamundur të qarkullojnë.

Nuk po shesin dot as produktet bujqësore dhe blegtorale në qytet pasi nuk transportojnë dot mallin me makina. Disa që kanë traktorë kalojnë poshtë urës për të transportuar produktet. Kryetarja e Bashkisë Delvinë, Majlinda Qilimi, e pyetur nga abc shprehet se i ka nisur prefekturës kërkesën dhe janë në pritje të asistencës teknike për riparimin e urës nga Ministria e Mbrojtjes.

Qilimi thekson se deri sa ura të jetë gati po hapin një rrugë të përkohshme kalimi. Gjatë këtij vit është hera e tretë që ura e fshatit Vane është dëmtuar.

Shtuar 2.11.2022 12:30