Shehu: Nuk merrem me çimka, pas negociatave me PS-në, opozita duhet ta kthejë në prioritet lirimin e Sali Berishës

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, ka pasur debate të ashpra mes deputetëve Bledion Nallbati dhe Tritan Shehut.

Kjo pasi ky i fundit, kërkon nga kolegët e tij që të angazhohen në aksionin opozitar për nxjerrjen nga arresti në shtëpi, të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Por ky propozim nuk është mirëpritur nga kolegu i tij Nallbati, duke i thënë Shehut se ai nuk ka marrë pjesë në aksionin politik të opozitës në Kuvend.

Për të kuptuar më shumë nga kjo përplasje në mbledhjen e djeshme të mbajtur pa praninë e mediave, ashtu si në mbledhje edhe në intervistë Shehu këmbënguli tek përpljekjet e opozitës për lirimin e Sali Berishës, ku se sipas tij, nuk kanë rëndësi “çimkat”.

“Së pari mbledhjet atje janë me dyer të mbyllura dhe nuk mund të them asgjë për debatet atje. Sepse është mungesë morali dhe mungesë karakteri të nxjerrësh nëpërmjet çimkave ato që bisedohen në mbledhjet e grupit. Kështu që këtë pyetje mos ma bëni mua. Unë nuk merrem me çimkat dhe me deformimet e diskutimeve.

Sa i përket negociatave të djeshme, unë nuk jam kundër negociatave, pasi ato janë pjesë e politikës dhe pa negociata nuk ka politikë. Dhe kjo është diçka e rëndësishme për të kuptuar më mirë dhe prioritetet e vetë atyre që bëjnë negociata.

Në këtë kuptim, prioriteti i opozitës është dhe mbetet vetëm një: Lironi liderin e opozitës. Lironi Sali Berishën, i arrestuar politikisht për të goditur opozitën shqiptare.

Dhe për mua ky është lajtmotivi kryesor që duhet të përshkruajë të gjithë aksionin politik të Partisë Demokratike dhe vetë Opozitës, pasi nuk ka akt më ekstrem ndaj demokracisë, është arrestimi i liderit të Opozitës, dhe për këtë duhet të vazhdojmë aksionin opozitar.”, u shpreh ndër të tjera deputeti demokrat Tritan Shehu.

 


Shtuar 13.03.2024 14:13