Amerika feston sot “4 korrikun”, ose e njohur ndryshe si Dita e Pavarësisë. Në vitin 1776, delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan ‘Deklaratën e Pavarësisë’, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.
Kjo ditë është festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941 dhe tradicionalisht është një ditë kur amerikanët festojnë me fishekzjarre, parada, koncerte dhe piknikë. 4 korrik është i njohur në të gjithë vendin si dita e fishekzjarreve.
Historia
Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Dy ditë më vonë, delegatët nga 13 kolonitë amerikane miratuan Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga Thomas Jefferson.
Disa studiues konstitucionalë argumentojnë se amerikanët duhet të festojnë në të vërtetë më 2 korrik – dhe jo 4 korrik – për shkak të votimit historik.
Rebelimi i Shteteve të Bashkuara kundër britanikëve kishte filluar një vit më parë, më 1775 dhe vazhdoi derisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan Traktatin e Parisit në vitin 1783, i cili zyrtarisht njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.