SHBA-të braktisën gratë në Afganistan

Nga Jill Filipovic, CNN

Shtetet e Bashkuara kanë tradhtuar plotësisht gratë dhe vajzat afgane.

Ndërsa amerikanët po largohen nga Afganistani, forcat afgane humbën dhe talebanët morën përsëri pushtetin. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar më shumë se 2 trilionë dollarë për dy dekada lufte.

47,000 civilë afganë, 69,000 ushtarë dhe policë afganë dhe gati 6,300 amerikanë kanë humbur jetën, sipas Institutit Watson për Çështjet Ndërkombëtare dhe Publike. Marrja nën kontroll e talebanëve duket se do ta kthejë Afganistanin në fondamentalizmin, shtypjen dhe mizogjeninë para 11 Shtatorit.

Por një gjë është ndryshe tani: gratë e Afganistanit shijuan lirinë në 20 vitet e fundit dhe morën përsipër të rindërtonin vendin e tyre. Gratë afgane janë përdorur si pengje politike dhe janë trajtuar më shumë si simbole nga njerëz të fuqishëm (kryesisht burra).

Tani, askush nuk ka më shumë për të humbur sesa gratë e Afganistanit. Dhe askujt nuk i takon një borxh më i madh. Kjo është arsyeja pse SHBA -ja dhe çdo komb tjetër që mori pjesë në këtë luftë duhet të hapë dyert dhe të mirëpresë cilat do nga këto gra dhe familjet e tyre, që duan të largohen nga Afganistani dhe të kenë një jetë të sigurt.

Pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit në mesin e viteve 1990, feministët në të gjithë botën ngritën alarmin për grupin duke treguar rolin e SHBA-së në armatimin dhe financimin e muxhahedinëve, nga të cilët u krijuan talebanët , në luftën e tyre kundër sovjetikëve.

Një diktaturë e egër, talebanët imponuan një nga regjimet më të rrepta në botë të aparteidit gjinor, duke i cilësuar gratë dhe vajzat si diçka më pak se njerëzore. Gratë u poshtëruan publikisht dhe u rrahën nëse nuk respektonin rregullat. Me muzikë, televizion, vallëzim dhe pothuajse çdo formë kënaqësie njerëzore të ndaluar nga ky regjim barbar, talebanët ofruan argëtim në formën e ekzekutimeve publike të kryera në një ish -stadium futbolli, duke varur gjymtyrët e prera të hajdutëve.

Kundërshtimet e feministeve dhe avokatëve të të drejtave të njeriut u injoruan kryesisht nga politikanët amerikanë, dhe nga amerikanët në përgjithësi. Gratë afgane bënë më shumë për të siguruar liritë e tyre.

Edhe gjatë ditëve të errëta të talebanëve, feministet afgane po rrezikonin jetën e tyre për të edukuar vajzat e Afganistanit, për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje dhe martesat e fëmijëve dhe për të kërkuar pak më shumë pavarësi. Kur talibanët ranë, të njëjtat aktiviste për të drejtat e grave më në fund mund të punonin – edhe pse të rrezikuara.

Gratë dhe vajzat fituan të drejta. Ato u shkolluan dhe filluan të punonin madje ishin pjesë dhe e politikës.

Tani, ne po shohim se sa i pakët ishte angazhimi amerikan për të drejtat e grave afgane. Gratë që punuan aq shumë në shërbim të së ardhmes së Afganistanit po përballen me një kthim në një regjim autoritar, ku feministet janë armiku numër një, anëtare të grupeve minoritare po përgatiten për dhunë dhe e ardhmja e vajzave parashikohet që nga lindja.

“Ky është turp,” tha Mahbouba Seraj një spikere lajmesh këtë javë. “Unë dua ti them të gjithë botës: Kjo që bëtë është turp.”

Fawzia Koofi është një nga feministet trime që rrezikoi jetën për të luftuar për gratë dhe vajzat nën regjimin taleban. Koofi, një objektiv i tentativave të shumta të vrasjeve të talebanëve, punoi për të edukuar në mënyrë të fshehtë vajzat në komunitetin e saj para se të shërbente në parlament nga viti 2005 deri në vitin 2019, dhe më pas zhvilloi biseda paqësore me talebanët në pritje të tërheqjes së trupave amerikane.

Kjo është një grua që përfaqëson më të mirën e Afganistanit – më të mirën e njerëzimit. E megjithatë, ajo i tha fotoreporterit Lynsey Addario se ajo tani është fshehur, pasi ka frikë për jetën e saj, dhe SHBA -të nuk është aty për ti ndihmuar. “Askush nuk po ndihmon,” tha Koofi Addario . “A mund të flisni me amerikanët?”

Udhëheqësit amerikanë u premtuan grave afgane siguri dhe mundësi, dhe tani ne po i lëmë ata të bllokuar në pistat e aeroportit. Shitjet e Burka tashmë po rriten në pritje të një rikthimi të një regjimi të ndarjes gjinore, shtypjes si qeverisje dhe gjakpirësve të maskuar si moralistë.

Një luftë e përjetshme në Afganistan nuk ishte kurrë e mirë për popullin afgan. Fakti që nuk kishte një sistem adekuat për miratimin e vizave dhe evakuimin e të gjithë refugjatëve afganë që kanë nevojë për strehim të sigurt është një njollë tjetër mbi reputacionin e Amerikës pas luftës katastrofike kundër terrorizmit.

Por nuk është plotësisht vonë, të paktën jo për të gjithë. Udhëheqësit në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë duhet të hapin kufijtë për refugjatët. Dhe SHBA duhet të jetë avokate e afganëve për të drejtat e grave.

Këto janë gra që i shërbyen vendit të tyre me nder, atdhetare të vërteta dhe ne duhet t’u japim atyre mundësinë të rifillojnë jetën nga fillimi. Siguria është më e pakta që u kemi borxh vizionareve trime të të drejtave të grave në Afganistan.

Dhe Amerika do të ishte me fat t’i kishte ato./abcnews.al


Shtuar 19.08.2021 12:14